Krijimi i vakancave në gjykata dhe prokurori për shkak të mos kalimit të procesit të Vetting-ut nga gjyqtarë e prokurorë, si dhe vonesat në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, që duhet të bëjnë emërimin e magjistratëve të rinj, ka bërë të domosdoshme, sipas mazhorancës, ndërhyrjen në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetja Klotilda Ferhati kanë depozituar një draft në Kuvend, përmes të cilit kërkojnë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria të mund të emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që mbarojnë shkollën e Magjistraturës, deri sa të ngrihen Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë të Prokurorisë, kompetencë kjo që iu ishte hequr dy institucioneve ekzistuese me ndryshimet e bëra, si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.
“Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe me qëllim plotësimin e nevojave për funksionimin e sistemit të drejtësisë, ngarkohet Shkolla e Magjistraturës të organizojë, jo më vonë se muaji Tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019 dhe të dyfishit të këtij numri për vitin akademik 2019-2020.
Për shkak të situatës së krijuar nga mos ngritja e KLP dhe KLGJ, shkolla e Magjistraturës nuk e zhvilloi konkursin për pranimet e reja në muajin Prill. Në relacionin që shoqëron projektligjin, dy deputetët e maxhorancës argumentojnë se ngritja e këshillave nuk është ende e mundur dhe nuk mund të parashikohet cili do të jetë afati i krijimit të tyre, ndaj ky ndryshim në ligj shihet si e vetmja zgjidhje.
Një tjetër propozim për Kuvendin nga dy deputetët Manja dhe Ferhati është dhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni të pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjeve për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Tv Klan