Luana është një vajzë nga Durrësi e cila i përket komunitetit LGBT. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku ajo tregoi se një nga pasionet më të mëdha në jetë ishte studimi dhe aktualisht studion në Fakultetin e Shkencave Sociale për Shkenca Politike.

Luana është një transgjinore e cila gjithmonë ka luftuar për të drejtat e saj ku ajo shprehet se do të jetë gjithmonë një mbështetje për këdo që ka nevojë. Por derisa arriti në këtë pikë, ajo ka kaluar mes vështirësish, bullizimi, lufte me mentalitetin, por edhe me veten.

Rudina Magjistari: Në moshën 8-vjeçare ti tregon që ke filluar të kuptosh se nuk të pëlqente të rrije me djem, të pëlqenin bisedat e vajzave, veshjet e tyre, të qëndroje e të luaje me to. Është kështu, ky ka qenë momenti i parë që ti kuptoje që nuk i takoje gjinisë mashkullore, por doje gjininë femërore?

Luana: Faktikisht nuk është se unë e kam kuptuar sepse ti je një fëmijë dhe nuk kupton asgjë se çfarë ndodh me ty.

Dëshirat që unë kisha i përshtateshin më shumë gjinisë femër. Unë nuk është se e kuptova në moshën 8 vjeçare, ose në moshën 9 vjeçare. Thjesht ti rritesh me atë idenë se jë një femër, ndihesh e tillë, do të jesh e tillë. Pastaj është mosha kur i merr guximin për ta shfaqur edhe për ta pranuar veten ashtu siç je.

Rudina Magjistari: Ti mund të rritesh ashtu, por vjen një moment edhe ti kupton edhe i jep një shpjegim asaj që ndodh me ty. Sepse ti rritesh dhe kupton që je ndyshe nga djemtë e tjerë, apo jo?

Luana: Pjesën që ti nuk je një mashkull siç është një mashkull, të paktën me mentalitetin këtu në Shqipëri, që je një mashkull deficent në sytë e të tjerëve, normalisht që ta vë në dukje shoqëria, ta vë në dukje mësuesja, ta vë në dukje klasa duke të thënë që: “po ti mos e lëviz dorën kështu”, ose “pse e ke zërin e hollë?”. Dhe ti fillon ta urresh veten sepse normalisht gjithë kjo trysni e madhe e shoqërisë kërkon të të shtypë, ti do ndihesh keq edhe thua “po pse çfarë faji kam bërë unë, pse duhej të isha në këtë situatë, pse nuk dukem një burrë”?!

Dhe unë vendosa që të gjitha këto gjëra Zoti fajtori, që nuk më bëri një femër, Zoti nuk më pranonte, atëherë vendosa që të shkoja në kishë edhe të gjeja një zgjidhje që unë të bëhesha edhe të shkoja drejt rrugës së Zotit. Por edhe në kishë që supozohet që njerëzit janë më paqësorë, edhe më pranues, duke filluar edhe nga autoritetet më të larta, gjithmonë ma kanë vënë në dukje këtë çështjen që ndihem apo dukem pak më shumë femërore. Madje dhe anëtarët, disa meshkuj prej tyre, mund të më thonin që “ti s’duhet të jesh te priftërinjtë, ti duhet të shkosh te shoqata e ndihmës”.

Gjithë jetën ma kanë vënë në dukje pjesën time femërore sepse është e pamundur që ti ta mbyllësh. Sado ti të aktrosh, ti kalon një orë të gjatë në shkollë dhe ata evidentojnë këtë problemin që ti mund të kesh. Por unë mendoj që nuk jam në trupin e gabuar, sepse shpirti dhe trupi janë dy gjëra shumë të ndryshme. Shpirti im është femëror dhe trupi im është mashkullor. Ose e thënë në fjalë të tjera seksi im është mashkull, gjinia ime është femër./tvklan.al