Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se me marrjen e detyrës, do të njohë zyrtarisht vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Ai thotë se do të ndalojë “çmendurinë transgjinore” dhe do të firmosë urdhra ekzekutivë për të ndaluar axhendat e tyre në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe do t’i përzërë nga ushtria.
Sociologu Gëzim Tushi thekson në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se kjo temë ka sjellë edhe shpërthimin e një histerie homofobike edhe në shoqërinë shqiptare. Qasja e Trump bie ndesh me atë të liberalëve që njohin plotësisht të drejtat e njeriut.
Gëzim Tushi: Tema është vërtet një patate e nxehtë sidomos kur diskutohet në shoqëri të tilla siç është shoqëria shqiptare.
Aldo: Le ta themi ballkanike?
Gëzim Tushi: Edhe ballkanike, pa diskutim, është një shoqëri homofobike por problemi është që këto ditët e fundit, këto muajt e fundit ka shpërthyer një histeri homofobike në shoqërinë shqiptare nisur nga disa deklarata që në SHBA po rikthehen neokonservatorët me Trump-in dhe sikurse dihet, ata kanë konceptin e tyre për gjininë, për familjen… të cilët përplasen me ideologjinë liberale progresiste të cilët respektojnë të drejtat e njeriut, respektojnë pakicat seksuale, e konsiderojnë orientimin seksual si një të drejtë të patjetërsueshme të njeriut dhe kanë konceptin që qëndrimi regresiv ndaj tyre ka qenë tipik për nazistët, komunistët, puritanët, kalvinistët…
Tushi rendit disa pika për të shpjeguar rëndësinë e bashkekzistencës së homoseksualëve në shoqëri. Orentimi seksual është një e drejtë, marrëdhëniet intime s’janë gjithnjë heteroseksuale dhe së treti, prirja është e lindur dhe jo e mësuar.
Gëzim Tushi: E para, orientimi seksual është një e drejtë e lindur e njeriut. E dyta, marrëdhëniet intime të njerëzve nuk janë domosdoshmërisht heteroseksuale sepse kjo ideja e dominancës heteroseksuale në shoqëri është ajo që i ekskludon të gjitha format e tjera të seksualitetit, përfshirë dhe homoseksualitetin. Sot kjo prirja homoseksuale nuk është një sjellje e mësuar, nuk është një sjellje homoseksuale, është e lindur, pra është një çështje që është e lidhur me biologjinë e njeriut dhe duhet respektuar, çfarë të bëjë ai? Në fund të fundit, shëndeti i një demokracie duket kur respekton pakicat se shumicat nuk kanë nevojë.
Sociologu ndalet edhe te ana tjetër e medaljes. Ai thotë se nuk duhen mënjanuar, zhdukur apo demaskuar, por do të ishte e gabuar nëse homoseksualiteti kthehet në një kauzë të përgjithshme.
Gëzim Tushi: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk ka pse t’i anatemojmë, nuk ka pse t’i demaskojmë.
Aldo: Madje do të thoja nga të dyja anët profesor sepse në vitin 2024 që jemi tani, në këto vitet e fundit, edhe këto shoqatat se ka disa nuk është një, janë bërë edhe pak…s’po them të dhunshëm…
Gëzim Tushi: Ekzakt.
Aldo: Liri, liri, por prit një çikë se… ose stisin sherre se kuptohet që janë fonde të mëdha, kaq gjë e dimë ne që lëviz para e madhe shumë.
Gëzim Tushi: Është e vërtetë. E drejta e një grupi mbaron aty ku fillon e drejta e një grupi tjetër. Në qoftë se përpiqemi të hipertrofizojmë të drejtën e homoseksualëve në shoqërinë tonë, aq sa janë, dhe ta kthejmë në kauzë të përgjithshme të shoqërisë, ta fusim në shkolla, në gjëra pa kurrikula precize, të sakta që kanë të bëjnë me edukimin seksual, kjo do të ishte krejtësisht e gabuar. /tvklan.al