Luana ishte e ftuara e parë e emisionit “Rudina” në Tv Klan. Kjo vajzë e veçantë i përket komunitetit LGBT, është një transgjinore dhe për të arritja më e madhe deri më tani është fakti që ka arritur të zhvillojë studimet në universitet pa e fshehur aspak identitetin.

Por, për ta njohur më mirë, universiteti është vetëm një nga arritjet e Luanës. Ajo ka mjaft pasion botën e televizionit, madje ka një eksperiencë të tillë. Dikur drejtonte një program televiziv në qytetin e Elbasanit, ku ka përfunduar shkollën e mesme pas zhvendosjes nga Durrësi.

Rudina Magjistari: Në Elbasan ti ke drejtuar një program televiziv apo jo, në një televizion lokal atje?

Luana: Po.

Rudina Magjistari: E ke provuar televizionin le të themi. Mbetet televizioni sërish një aspiratë e jotja?

Luana: Sigurisht, unë synoj që së shpejti të nis një program televiziv për komunitetin sepse jemi parë vetëm në çështje seksizmi dhe bullizmi, është një gjë shumë e shëmtuar. Edhe ne kemi dëshira, pasione, ndjenja, pra jemi edhe ne normalë kështu që uk duam që titujt e lajmeve të jenë vetëm për bullizim sepse të gjithë hasim në të, jo vetëm komuniteti LGBT. Imagjinoni sa të vështirë e ka një me aftësi ndryshe dhe jo më unë që i kam të dyja këmbët e duart. Do jetë një program informativ. Madje, kontributin më të madh në botë e kanë dhënë personat LGBT.

Rudina Magjistari: Ka edhe mes tyre shumë të shquar…

Luana: Këto do vijnë në sytë e të tjerëve, pse jo edhe personazhe transgjinorë të LGBT që janë pedagogë në auditorë.

Rudina Magjistari: Po, sepse ju këtë kërkoni, kërkoni të drejta të barabarta me të tjerët dhe të futeni në garë njësoj si të gjithë, t’ju jepen mundësi të barabarta.

Luana: Të respektohet identiteti jonë. Nuk duam të marrim ndihma vetëm për shakk se jemi transgjinorë apo sepse i përkasim komunitetit LGBT. Orientimi është personal, gjithsecili zgjedh ta ndajë ose jo, nuk është i detyruar, qoftë edhe për një person hetero.

Më tej, ajo e mbylli këtë pjesë të rrëfimit të saj duke treguar një detaj për veten. Emri “Luana” është zgjedhur për shkak të shenjës së horoskopit, Luani, por edhe lidhjes që ndjen me kafshën e fuqishme që përfaqëson./tvklan.al