Kapiteni i jahtit luksoz në pronësi të familjes së manjatit britanik të teknologjisë Mike Lynch që u mbyt në Sicili javën e kaluar nuk pranoi t’i përgjigjet prokurorëve gjatë marrjes në pyetje. James Cutfield, një shtetas 51-vjeçar nga Zelanda e Re është vënë nën hetim nga prokurorët italianë.
“Kapiteni ushtroi të drejtën e tij për të heshtur për dy arsye themelore. Së pari, ai është shumë i lodhur dhe i tronditur. Së dyti, ne jemi emëruar për hetimin e kësaj çështje të hënën dhe për një çështje të plotë dhe korrekte të mbrojtjes duhet të marrim një sërë të dhënash që për momentin nuk i kemi,” u tha gazetarëve avokati Giovanni Rizzuti.
Deri më tani, James Cutfield, kapiteni 51-vjeçar i Bayesian, ishte personi kryesor me interes për hetimin. Kapiteni ishte mes 15 të mbijetuarve pasi jahti u mbyt më 19 gusht brenda disa minutave ndërsa ankorohej në veri të Siçilisë duke vrarë manjatin britanik të teknologjisë Mike Lynch, vajzën e tij 18-vjeçare Hannah dhe 5 të tjerë. Angela Barcares, e veja e Lynch dhe pronare e kompanisë, emri i së cilës është regjistruar jahti, është mes të mbijetuarve.
James Cutfield do të merret sërish në pyetje në një hotel në Palermo ku anëtarët e ekuipazhit kanë qëndruar që nga tragjedia. Dëshmitë e Cutfield dhe zëvendësit të tij janë vendimtare për të përcaktuar se çfarë ndodhi dhe nëse u bënë gabime nga ekuipazhi. Është ende e paqartë nëse anëtarë të tjerë të ekuipazhit apo persona të tjerë do të vihen gjithashtu nën hetim. Të dielën, gjyqtarët morën në pyetje të gjithë anëtarët e ekuipazhit me mbështetjen e një përkthyesi. Qindra faqe me shënime në anglisht do të duhet të përkthehen në italisht dhe duhet të mbërrijnë në tryezat e prokurorëve brenda 30 ditëve.
Prokurorët kanë bërë të ditur se hetimi i tyre do të kërkonte kohë dhe do një inspektim të detajuar të rrënojave të jahtit. Bayesian aktualisht ndodhet në një thellësi prej rreth 50 metrash. Roja bregdetare po kryen aktivitete për të monitoruar kushtet mjedisore në zonën ku u mbyt jahti. Deri më tani autoritetet nuk kanë regjistruar asnjë rrjedhje nga rezervuarët dhe nuk ka gjurmë të ndotjes nga nafta.
Megjithatë, pyetja kryesore që po bëjnë hetuesit është se si një jaht i konsideruar shumë i sigurtë nga Perini Navi që e ndërtoi atë në 2008, ishte në fakt e vetmja nga shumë varkat e ankoruara në Porticello që u mbyt natën e 19 gushtit.
Klan News