E ftuar në programin “Historia ime” në Tv Klan ishte psikologia Anisa Zaçe. Ajo u ndal tek situata e krijuar në vendin tonë, por edhe tek puna e psikologut në një moment të tillë.
Zaçe u shpreh se për psikologët është e vështirë se duhet të mbajnë edhe ngarkesat e të tjerëve.
Mirela Milori: Si është karantina tek një psikologe?
Anisa Zaçe: Ulem herë pas here përballë vetes. Le të themi që ne kërkojmë ndihmat e kolegëve në të tilla raste. Sigurisht është e vështirë, por që në momentin që kjo situatë nisi, sidomos kur u afrua aq shumë në Itali, ne të gjithë filluam ta përgatisnim veten për atë që e priste Shqipërinë. Sepse si do që të vinte puna, nuk e mendonim që do ishim imunë, pavarësisht se vonoi më shumë seç e prisnim që do vinte. Patjetër që ka vështirësitë e veta, një situatë e kësaj natyre, qoftë kjo për psikologët, por për këdo që ndodhet në këtë situatë. Psikologët pak më tepër, për shkak të faktit se duhet të mbajnë dhe ngarkesat e të tjerëve. Por deri tani është menaxhuar shumë mirë situata, ndoshta ishim përgatitur për këtë gjë, kemi lexuar mjaftueshëm, për të paktën tani, nuk e dimë çfarë do ndodhë nëse zgjat më shumë./tvklan.al