Pentagoni ka publikuar videon e parë të nisjes së bombardimeve amerikane ndaj objektivave të ushtrisë siriane të Presidentit, Bashar al Assad.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se kishte lëshuar 59 raketa Tomahawk ndaj Sirisë.
Në video shfaqet lëshimi i raketave Tomahawk, njëra pas tjetrës, nga një luftanije amerikane e dislokuar në Mesdhe.
Ky është sulmi i parë direkt që SHBA-të ndërmarrin kundër regjimit të Presidentit Bashar Al Assad që kur ka nisur lufta civile në vend 6 vite më parë dhe tregon një përshkallëzim të konsiderueshëm të fushatës ushtarake amerikane në rajon, gjë e cila mund të konsiderohet nga qeveria siriane si një “akt lufte”.
Duke njoftuar popullin amerikane për sulmin, Presidenti Trump tha se kishte urdhëruar bombardimin e bazës ajrore prej ku avionët e Presidentit Bashar al Assad ishin ngritur për të sulmuar me armë kimike popullin e pafajshëm sirian.
Trump tha se “është jetësore për sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parandalohet dhe të pengohet përhapja e përdorimit të armëve kimike vdekjeprurëse”.
“Nuk ka asnjë dyshim se Siria përdori armë të ndaluara kimike dhe se shkeli detyrimet e saj sipas Konventës së Armëve Kimike.”
Vendimi i Trumpit për të bombarduar Sirinë përbën një zhvendosje dramatike në pozicionin e tij përballë ndërhyrjeve ushtarake kundër Presidentit Sirian, Bashar al Assad. Vite më parë, Trump ishte kundër ndërhyrjes ushtarake ndaj Sirisë, duke e këshilluar Presidentin Obama ta ruante forcën për “ditë më të rëndësishme”./tvklan.al