Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar Korenë e Jugut se do të bënte një gabim të madh nëse armatos Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Deklarata e tij vjen pasi Seuli tha se po shqyrtonte një mundësi të tillë në përgjigje të paktit të ri të Rusisë dhe Koresë së Veriut për të mbështetur njëri-tjetrin në raste të agresionit kundër secilit vend.

“Moska do të ndërmarrë vendime që nuk ka gjasa të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut nëse Seuli vendos të furnizojë me armë Kievin”, tha Putin para gazetarëve.

Më herët, Seuli kishte dënuar marrëveshjen Rusi – Koreja e Veriut si një kërcënim për sigurinë e tij kombëtare. Këshilltari i sigurisë kombëtare, Chang Ho-jin tha se Koreja e Jugut po planifikon të rishqyrtojë çështjen e mbështetjes së armëve për Ukrainën.

Ndërkohë, pas komenteve të Putinit, zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha se do të shqyrtonte opsione të ndryshme në furnizimin me armë në Ukrainë dhe qëndrimi i saj do të varet nga mënyra se si Rusia i qaset kësaj çështjeje.

Ndërsa Koreja e Jugut ka dhënë ndihma humanitare dhe pajisje ushtarake për Ukrainën, ajo deri më tani ka refuzuar të sigurojë armë vdekjeprurëse pasi ka një politikë zyrtare për të mos armatosur vendet në luftë.

Në Ukrainë ka shpresa se thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Moskës dhe Phenianit do të bënte që Seuli të rimendonte qasjen e tij për furnizimin me armë./tvklan.al