E ndërsa administrata amerikane si dhe vende të tjera europiane i dhanë dritën jeshile Ukrainës për të goditur objektiva brenda Rusisë, presidenti rus Vladimir Putin është kundërpërgjigjur duke deklaruar se Moska mund të vendosë raketa konvencionale me synimin për të sulmuar objektivat perëndimore.
Kreu i Kremlinit në takimin e tij të parë ballë për ballë me drejtuesit e lartë të agjencive ndërkombëtare të lajmeve tha se Perëndimi gaboi kur supozoi se Rusia nuk do të përdorte kurrë armë bërthamore.
“Për disa arsye, Perëndimi beson se Rusia nuk do t’i përdorë kurrë armët bërthamore. Ne kemi një doktrinë bërthamore, shikoni çfarë thotë ajo. Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne e konsiderojmë të mundshme që të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion. Nuk ka nevojë të krijoni një imazh të një armiku jashtë Rusisë.”
Kur u pyet për thirrjet e shefit të NATO-s Jens Stoltenberg për të lejuar Ukrainën të përdorë armë perëndimore për të goditur territorin rus, Putini paralajmëroi se kjo do të ishte një përshkallëzim serioz që po e tërheq Perëndimin drejt një lufte me Rusinë.
“Çfarë duhet të bëjmë si përgjigje? Para së gjithash, ne do të përmirësojmë sistemet tona të mbrojtjes ajrore për të shkatërruar raketat. Në fund, nëse shohim që këto vende përfshihen në një luftë kundër nesh, ajo që po bëjnë i bën të përfshihen drejtpërdrejt në një luftë kundër Federatës Ruse, ne rezervojmë të drejtën të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Kjo do të çojë në disa probleme serioze.”
Mes të tjerash ai përmendi veçanërisht dërgesat e armëve gjermane në Ukrainë dhe sipas kreut të Kremlinit nëse raketat e furnizuara nga Gjermania godasin objektivat në territorin rus, ky akt do të shkatërronte përfundimisht marrëdhëniet dypalëshe. Udhëheqësit perëndimorë dhe Ukraina kanë minimizuar paralajmërimet e Rusisë për rrezikun e një lufte më të gjerë, por kanë paralajmëruar vazhdimisht se Putini mund të sulmojë çdo anëtar të NATO-s.
Së fundmi armët amerikanë kanë rezultuar të suksesshme, teksa Ukraina ka shkatërruar sistemet raketore S-300 dhe S-400, si dhe ndali një sulm të ri tokësor në Kharkiv që është bërë së fundmi epiqendra e luftimeve intensive.
Klan News