Ema Andrea një aktore dhe personazh mjaft i dashur për publikun ka realizuar një intervistë me moderatoren e njohur Mirela Milori tek “Historia ime” në Tv Klan, ku ka folur gjatë për jetën e saj private dhe profesionale. E pyetur nga moderatorja nëse është në një lidhje dashurie, Ema shprehet se është përfolur shumë për jetën e saj personale dhe mendon se është tepruar. Kjo gjë e bën të ndihet e fyer sepse raportin me publikun nuk e ka ndërtuar në bazë të jetës personale.
Mirela Milori: Ka një kuriozitet shumë të madh për jetën tënde private. Është Ema single, ka dikë në jetën? Kjo për faktin se ti e shijon gjënë, kur ke pasur raportet e tua, ke pirë kafe, ju kanë parë, je e tillë, je normale.
Ema Andrea: Ky vend është i çuditshëm. Unë raportin me publikun e kam krijuar përmes punës sime. Nuk është se kam një jetë private aq sa është përfolur. Disa janë të shpikura dhe të tepërta, nuk janë të vërteta. Kjo gjë përbën më shumë interes dhe kjo më fyen pak sidomos në raport me mediat që bëhet kaq publike dhe e zhurmshme.
Mua më duket sikur më dhunojnë, sikur më janë futur në shtëpi dhe këto shpesh më kanë ndaluar për të jetuar siç duhet. Nuk ka asnjë gjë të keqe as të dalësh, as të pish kafe sidomos për personat që raportin e tyre me publikun nuk e kanë ndërtuar në bazë të jetës personale. Tre javë ka qëndruar divorci im në gazetë, titulli i parë. I mora në telefon i thashë është e tepërt sepse nuk ka ndonjë lajm. Ema ti je një person publik, e di përgjigjen por kur punët e mia nuk bëhen publike, të kenë një farë baraspeshe dhe unë do ta pranoja këtë gjë.
Jeta ime private prej meje nuk ka dalë ndonjëherë, janë të gjitha sugjerime të cilat as i kam pohuar dhe as i kam mohuar. Në këtë vend njerëzit i japin vetes të drejtën pa ditur pasojat e gjykimit dhe shumë shpesh përpjekjet për të denigruar dikë. Unë nuk dua të shqetësoj familjarët e mi, boll janë shqetësuar. Nuk po bëj me faj një shoqëri, as nuk shqetësohem për gjykimet mbi jetën time, më fal për mendjemadhësinë, por kush po më gjykon? /tvklan.al