Një 56-vjeçar dhe disa të rinj janë kapur në kodrat e fshatit Hamallaj në Durrës
Dëshira për të reklamuar në rrjetet sociale të qitjeve me armë iu ka kushtuar shtrenjtë disa të rinjve dhe një 56-vjeçari. Ata janë arrestuar pasi filmonin njëri-tjetrin duke qëlluar me kallashnikov dhe videot i publikonin në TikTok.
Në pranga kanë rënë Njazi Sula dhe Mirlind Sula që janë babë e bir, të dy banues në fshatin Rrushkull, ku akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërsa Klivan Pepkolaj, Klajdi Jaku, Aurel Toshi, Andi Hajdarkolaj dhe Eljos Toshi, të gjithë banues në Tiranë akuzohen për moskallëzim krimi. Me të njëjtën akuzë është proceduar në gjendje të lirë një 17-vjeçar.
Të gjithë këta persona u kapën në flagrancë teksa po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.
Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën Najzi dhe Mirlind Sulës, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë.
Për këtë ngjarje reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se policia ka shtuar monitorimin në rrjetet sociale ku ekspozohen rastet e armëmbajtjes pa leje nga të rinjtë.
Klan News