Që nga 27 Nëntori, kur katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kanë dhënë dorëheqje dhe kanë pushuar, siç kanë thënë ata, punën e vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur me këto dorëheqje.
Liderë të partive opozitare dhe deputetë opozitarë vlerësojnë se ekzekutivi i vendit po sillet me papërgjegjësi ndaj zhvillimeve në veri.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit” pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë institucionalë, “po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës”.
“Po shihet qartë se Presidenti nuk është i vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve. Është e papranueshme që për efekte populiste e të fushatës të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në terë territorin e vendi”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar që institucionet, sipas tij “të papërgjegjshme”, duhet të japin dorëheqje dhe të shpërndahen.
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë duket qartë që në terren ekziston një përshkallëzim i situatës, së cilës i ka kontribuar edhe dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të vendit.
“Do të ishte mirë që menjëherë të reagojë ministria kompetente për këtë, që është ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal, përkatësisht Qeveria, pjesë e së cilës është kjo ministri. Mirëpo, unë mendoj që edhe Kuvendi, si institucion më i larti në vend, do të ishte mirë që ta thërriste një seancë të jashtëzakonshme, ku deputetët, si përfaqësues të popullit, do të mund të debatonin dhe të jepnin mendimet dhe këshillat e tyre për Qeverinë se si të veprohet në këto rrethana të reja, të cilat në njëfarë mënyre kanë krijuar vakum institucional, për arsye të mungesës së kryetarëve në këto katër komuna”,
thekson Sejdiu.
Në anën tjetër, një grup prej rreth 30 përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka udhëtuar për në Beograd, për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit, Rakiç ka thënë se e kanë njoftuar presidentin serb, Vuçiq për, siç ka thënë ai, “frikën dhe brengosjen, me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë”.
“E kemi njoftuar presidentin Vuçiç që ne, kryetarët e komunave në veri, para dy ditësh kemi dhënë dorëheqje nga funksionet tona. Presidenti ka kërkuar nga ne që protestat të jenë të qeta dhe jo të dhunshme, pa marrë parasysh nga hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë Prishtina kundër popullit serb në Kosovë”
, ka thënë Rakiç.
Ai ka shtuar që taksat që i ka vënë Prishtina për mallrat e importuara serbe, në fakt, nuk janë të orientuara kundër Serbisë, por, sipas tij, kundër mbijetesës së popullit serb në hapësirën e Kosovës.
Goran Rakiç, kryetari i Mitrovicës së Veriut, duke iu adresuar protestuesve serbë në këtë komunë, pas vendimit të kryetarëve të komunave veriore për të dhënë dorëheqje. 27 nëntor, 2018.
Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri, ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.
Në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, thuhet se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës”.
Zgjedhjet shpallen jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes, kurse duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.
Sipas ligjit, vetëm Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), mund t’i ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
Por, anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ka skaduar mandati, kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka mandatin e emërimit, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, ende nuk ka dhënë ndonjë mendim./REL