Nuk vonoi dhe qeveria italiane ndërmori hapat ligjorë që do të mundësojnë dërgimin e emigrantëve në kampet e ngritura në Shqipëri.
Qeveria miratoi një dekret me fuqinë e ligjit për të kapërcyer ngërçin e krijuar nga gjykata e Romës për zbatimin e marrëveshjes për emigrantët me Shqipërinë, ndërsa më herët kryeministrja Giorgia Meloni akuzoi gjyqtarët për paragjykime politike.
Dekreti, përfshin në ligj përkufizimin e qeverisë për 22 vendet “e sigurta” të origjinës. Kjo do të thotë se autoritetet e migracionit mund të përshpejtojë shqyrtimin e kërkesave nga azilkërkuesit nga ato vende.
Ndërhyrja me shpejtësi e qeverisë së djathtë vjen pas një vendimi të gjykatësve italianë të premten e kaluar kundër ndalimit të emigrantëve dhe dërgimit të tyre në Shqipëri.
Lista e vendeve të sigurta, “që përfshin vendimin e fundit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë”, është rishikuar dhe do të përditësohet periodikisht.
Kryeministrja Meloni është zotuar të mbrojë kufijtë dhe të lejojë vetëm hyrje të ligjshme të emigrantëve.
“Qeveria është e vendosur të çmontojë këto rrjete kriminale dhe të çrrënjosë trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, që ushqen interesat e tregtarëve të skllevërve të mijëvjeçarit të tretë”, tha Meloni
Dekreti përcakton rregulla të reja për dëbimin e emigrantëve në të ashtuquajturat “vendet e sigurta” dhe tregon se në cilat vende do të kryhen riatdhesimet e menjëhershme.
Klan News