Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Hidrocentrali vendor në Xyrë të Librazhdit do të jepet me koncesion në formën e rehabilitimit, operimit dhe transferimit, për të cilin qeveria ka miratuar vendimin për fillimin e procedurave ligjore. Ky vendim është marrë pas mungesës së mirëmbajtjes, gjë që ka çuar në degradimin e plotë të hidrocentralit, nga furnizohen me energji elektrike një pjesë e zonave juglindore të Shqipërisë.
Hidrocentrali i Xyrës është ngritur në vitin 1986, kryesisht me makineri të prodhuara në vend. Prej disa vjetësh në të nuk prodhohet më energji elektrike, pasi janë shkatërruar fizikisht elementët ndërtimor, si edhe një pjesë e mirë e makinerive. Investimi për të rehabilituar këtë hidrocentral është 5.45 milion lekë dhe është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2004. Sipas projektit të parashikuar, prodhimi i energjisë mendohet të dyfishohet.
Në vitin 1991, në hidrocentral prodhohej 1.2 milion kilovat/orë energji elektrike, ndërkohë pas riaftësimit të tij në vitin 2005, mendohet të prodhohet 2.16 milion kilovat/orë energji elektrike./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti