Arben Malaj: “Në kushtet kur qeveria pretendon se i kaluar investimet në 3 muajt e parë të vitit dhe njëkohësisht merr kredi tregtare dhe e përdor në emergjencë për muajin maj dhe qershor dhe mundësi sa më parë zgjedhjeve, kuptohet qartë se qeveria në ikje po lë pas në situatë fiskale shumë të dobët dhe me probleme në rritje.”

Kështu do të reagonte Partia Socialiste, nëpërmjet ish-ministrit të Financave Arben Malaj, menjëherë pasi qeveria arriti të sigurojë një kredi prej 250 milionë eurosh nga disa banka ndërkombëtare. Por përgjigjen më të mirë për këtë çështje e ka dhënë FMN.

Përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, Ann Margaret Westin, u shpreh qartazi në mbështetje të kredisë se marrë. Westin tha, për televizionin Klan, se kjo hua përbën një sukses për ekonominë shqiptare.

Ann Margaret Westin: “Mendimi ynë është se në situatën e tanishme globale, sidomos në vendet në zhvillim, ka një klimë shumë të shtrënguar përsa i takon financimit,  pra është e rëndësishme dhe ne e mirëpresim faktin që qeveria arriti të siguroje këtë kredi. Ne e përgëzojmë faktin që nëpërmjet kësaj kredie po hidhet më shumë valutë në ekonomi. Një problem i krizës aktuale është pikërisht mungesa e valutës, pra më pak flukse të kapitalit, rënie të të ardhurave nga emigrantët dhe investitorët në përgjithësi janë më nervozë. Pra është shume pozitive që ekonomia shqiptare ja arriti të sigurojë këtë kredi, duke hedhur më shumë valutë në vend. Huaja do të ndikojë edhe në forcimin e monedhës vendase.”

Përfaqësuesja e FMN-së duke folur rreth kushteve me të cilat është marrë kredia theksoi se më e rëndësishme në këtë pike është që qeveria ja ka dalë për të bindur bankat ndërkombëtare për të financuar nevojat e buxhetit por nga ana tjetër edhe kushtet e kontratës janë të favorshme për rifinancimin e tij.

Ann Margaret Westin: “Normat e interesit reflektojnë kushtet e tregut në këtë moment të vështirë, njëvit më parë qeveria arriti të marrë kredi me një tjetër normë interesi. Shpresa është që kushtet e tregut do të ndryshojnë, do të jetë më likuid dhe normat e interesit mund të ulen duke e rifinancuar borxhin. Këtu është pozitive që sipas kontratës borxhi mund të paguhet para maturimit dhe pa penalitete nëse kushtet e tregut do të përmirësohen. Gjithsesi, në një klimë të tillë është vërtet një sukses për qeverinë sigurimi i një borxhi.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro