Qindra emigrantë janë nisur nga Athina drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në votimet e së dielës.

Interesimi i tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e vendit është i lartë.

Dhjetëra autobusë janë nisur mesditën e së premtes, por fluksi më i madh pritet sot.

Simpatizantë të Partisë Demokratike kanë mbushur sheshin “Karaskaqi” dhe me flamuj të PD-së e atë kombëtar kanë brohoritur për disa minuta duke bërë thirrje për fitore.

“Rroftë Sali Berisha”.

“Quhem Ari Stefa. Jam nga qyteti i Vlorës dhe shkoj për të votuar për këtë qeveri dhe për qeverinë që ka bërë Partia Demokratike gjatë katër vjetëve, arritje kolosale ajo që përmenda. Hyrja në NATO është ombrella që kërkonin shqiptarët dhe emigrantët sidomos për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Më e rëndësishme për shqiptarët është edhe arritjet e lëvizjes së lirë dhe për të gjithë ato rezultate dhe arritjet që ka bërë kjo qeveri. Ne i falënderojmë nga zemra kryeministrin që të ketë edhe një 4-vjeçar tjetër dhe ne do të jemi përsëri me këtë mandat”.

“Quhem Shkëlzen Mezini, nënkryetari i PD-së, Athinë. Kam 20 vjet emigrant në Athinë. Me votën time dëshiroj që Partia Demokratike të fitojë sërish. Jam shumë i lumtur që ndihmoj me këtë votë unë dhe familjen time. I uroj fitore zotit Sali Berisha. I bëj ftesë edhe pjesës tjetër të kombit shqiptar të votojë për PD-në.”

“Presim me padurim të shkojmë në vend në Shqipëri për të votuar”.

“Luan Miha, kryetar i degës PD, Athinë. Si të gjithë, si mbarë populli shqiptar edhe anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike nisen për në Shqipëri për të vajtur për zgjedhjet e 28 Qershorit. Dega jonë me një punë mjaft të madhe ka munduar që të vijë në ndihmë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike për arsye të fluksit të madh. Ne vehemi në Shqipëri për të kontribuar për zgjedhjet, për të festuar fitoren e sigurt. Thjesht do japim kontributin tonë për ta thelluar atë. Fitorja është e sigurt”.

“Quhem Fatmir Doçi, sekretar organizativ i Partisë Demokratike, dega Athinë. Shikojmë që interesimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi është shumë interesant, një përkushtim shumë serioz. Kemi shumë shqiptarë që duan të shkojnë në Shqipëri, për votimet e 28 Qershorit, për votimet për një Shqipëri, për ndryshimin e Shqipërisë, për një Shqipëri, për një të ardhme.”

Autobusët janë nisur në drejtim të pothuajse të të gjitha rretheve të Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle