Vëzhgim në qytetet kryesore të vendit

Vendimi për mbajtjen e maskës është respektuar nga pjesa dërrmuese e qytetarëve të Elbasanit.

“E mban gjithë bota, pse mos ta mbajmë edhe ne. Është për të mirën tonë. Jo se e thotë Edi Rama po kushdo që të jetë maska duhet mbajt”.

“Duhet vendosur, mbrojmë veten”.

Të paktë janë ata që nuk i janë bindur Aktit Normativ, për të cilët Policia e Elbasanit ka vendosur gjobat e para ose në raste kundërshtimi ka bërë shoqërime në komisariat.

E tillë është situata edhe në Durrës. Qytetarët duken të bindur ndaj vendimit të qeverisë, për të përdorur maskat edhe në ambientet e jashtme.

Një nga qytetet me numrin më të madh të të prekurve nga Covid pas Tiranës, edhe Shkodra i është përgjigjur pozitivisht rregullit të ri.

Efektivë të policisë kanë zbritur në terren në monitorim të situatës, teksa në ditën e parë janë treguar edhe tolerant me abuzuesit.

Edhe në Korçë, të rrallë ishin qytetarët që kishin dalë pa maskë.

Ata shprehen se kanë vendosur të respektojnë urdhrin e dhënë me bindjen se maska të mbron, jo nga frika e ndëshkimit me gjobë.

“Për të mbrojtur nga virusi, nuk dal pa maskë”.

“Tashi neve na mbron, nuk është halli i gjobave”.

Zbatimi i Aktit Normativ po monitorohet në terren nga patrulla të policisë së rendit dhe asaj bashkiake.

Tv Klan