Valmir Hoxha ka marrë një gjobë në një rrugë nacionale, për mungesë të fikses së zjarrit në automjet. Më vonë mëson, se duhet të dalë në komision pranë task-forcës së transportit rrugor.

Valmir Hoxha: Po vija nga Lushnja për të shkuar në Durrës, se banoj në Durrës. Më bën postobllok, policia e task-forcës dhe më thanë letrat. Iu dhashë dokumentat të gjitha, dhe më thanë: A ke fikse zjarri? I thashë kam patur, mund të ketë në makinë. Mori dokumentat, shkoi ja dha personit që e kishte bërë gati fletën e gjobës, pa më parë e kisha apo jo fikësen e zjarrit dhe më tha e ke 10 mijë lekë të vjetra gjobën dhe do shkosh tek posta të paguash 80%. Vij në Durrës, shikoj ishte për komision. Shkoj në polici i them, ç’është ky komision? Më tha nuk është ministria jonë është e Shkozetit. Shkoj në Shkozet, na thonë nuk na përket ne kjo ministri, thjesht duhet të vesh në Tiranë të dalësh në komision. Vij në Tiranë, në datën 12, se në datën 10 më kanë bërë ndalesën dhe më thonë që do vish të enjten tjetër, se çdo të enjte bëhet komision.

Eksperti Artur Sulçe shpjegon se askund nuk thuhet, që përbën mangësi teknike mungesa e fikses së zjarrit. Kjo situatë sipas Sulçes, është handikap ligjor, që duhet zgjidhur.

Artur Sulçe: Në rast se do shikojmë nenin 71 pika 5 dhe nenin 79 pika 5, do shikojmë se nuk ka dispozitë, për të folur për fiksen e zjarrit, apo anekse që të flet. Pra nuk është e metë teknike. Duhet rregulluar që ky sistem ty nuk do të jepet, domethënë që mjeti juaj është në rregull për të lëvizur, nëse nuk ke edhe këto mjetet ndihmëse. Ndërkohë që të jepet një fletë atje, atje kalon dhe një sistem shtetëror të thotë që ky nuk kalon me atë mjet, pra këtu kemi një handikap është e arsyeshme që duhet zgjidhur.

Gazetarja e “Stop” i drejtohet për këtë çështje zyrave të Task Forcës së  transportit rrugor.

Punonjësi i Task Forcës: Akti i Komoditetit është një akt, që mjetet e marrin për të siguruar komoditetin për të gjithë udhëtimin dhe për gjithë mbarëvajtjen e një transporti sa më komod të pasagjerëve. Ky akt jepet në drejtoritë rajonale të transportit në qytetet e ndryshme, jepet edhe në drejtorinë e përgjithshme. Mund të bëhet ose online ose me kontroll fizik, që shkon e konstatojnë personat e autorizuar në drejtoritë rajonale. Tani çfarë ndodh? Realisht këto, kur e plotësojnë këtë aktin e komoditetit, ka disa kutia aty dhe thonë e kam fiksen e zjarrit, i kam sediljet e rregullta, e kam këtë, e kam këtë. Por faktikisht, po ta them dhe praktikisht po ta shpjegoj ka shumë probleme në terren, sepse ai e merr aktin dhe i thotë, që i kam të gjitha këto dokumentacione që me kërkon ligji. Në momentin, që më del Task Forca, që është strukturë e përkohshme për përmirësimin e transportit rrugor, për të parë të gjithë këto problematika dhe sa zbatohen realisht në terren, e konstaton me shkelje. Kjo konsiderohet e metë teknike. Nuk ka njeri, që vjen në komision dhe të thotë nuk mora shpjegim!/tvklan.al