Në qytetin që i ka të gjitha përveç detit… Po flasim për Përmetin, i cili preferohet nga vizitorët në çdo stinë.
“Qyteti i Përmetit po njeh çdo ditë e më tepër, rritje të numrit të vizitorëve.. Turistët kanë kaluar shifrën e mbi 100.000 mijë. Jemi në kulmin e sezonit turistik, dhe turistët nga e gjithë bota zgjedhin qytetin e Përmetit si një nga destinacionet e preferuara”.
Njihet si qyteti i luleve, i banjave të Bënjës, por së fundmi edhe si qyteti në këmbët e të cilit kalon lumi i fundit i egër i Europës, Vjosa, i cili u shpall Park Kombëtar në Mars të 2023.
Numri i turistëve ka shtuar edhe numrin e hapësirave akomoduese. Çdo fshat ka një bujtinë dhe numri i tyre po vjen në rritje. Edhe netqëndrimet në qytetin e Përmetit janë rritur.
“Përmeti numëron mbi 25 mijë sajte natyrore dhe kulturore, që do të thotë që brenda një dite ti nuk i bën dot në qytet. Kjo do të thotë se kanë qëndruar 1 apo 2 netë në qytetin e Përmetit.”
Fluksin dhe rritjen e vizitorëve e tregojnë edhe bujtinat të cilat tregojnë se deri në Shtator janë të rezervuar.
“Unë jam i kënaqur se unë tërë Gushtin e kam të zënë, edhe gjysmën e Shtatorit.”
I kthyer nga emigracioni Irakli Kaso, thotë se është shumë i kënaqur për investimin që ka bërë në vendin e tij.
“Doja me çdo kusht që unë të kthehesha këtu. Fëmijët e mi nuk donin, as gruaja. Unë kam bërë çdo gjë që ishte e mundur që të kthehesha.”
Në Vjosë, ata që duan sportet ujore mund të shijojnë sportin e rafting dhe njëkohësisht të zbulojnë peizazhet e pashkelura anës tij.
“Unë kryesisht operoj në grykën e Këlcyrës pasi e shoh se kohët e fundit është kthyer në një nga atraksionet kryesore.”
Të pasionuar pas natyrës, traditës, historisë dhe kulturës veç vizitorëve vendas, turistët në Përmet janë nga e gjithë bota.
Tv Klan