Raiffeisen Bank ka nënshkruar marrëveshjen e financimit të një kredie sindikale prej 110 milionë Eurosh që do të mundësojë financimin e tre hidrocentraleve në Shqipëri nga Ayen As Energji sh.a. Kjo kredi sindikale është më e madhja e financuar ekskluzivisht nga bankat vendase që operojnë në Shqipëri.
Kredia konsiston në rifinancimin e një linje ekzistuese kredie fillimisht të lëvruar nga një bankë në Turqi, e cila u përdor për ndërtimin dhe operimin e tre hidrocentraleve (HPP): Peshqesh, Fang dhe Diga & Ura e Fanit – të operuara nga Ayen AS Energji SHA, duke shfrytëzuar rrjedhën e ujit nga lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël në veri të Shqipërisë.
Raiffeisen Bank udhëhoqi procesin e kredisë sindikale, duke u bashkuar edhe me tre banka të tjera, OTP Bank, Intesa SanPaolo Bank dhe Tirana Bank për të mbështetur këtë arritje të rëndësishme.
Elona Mullahi (Koçi), anëtare e Bordit të Korporatave në Raiffeisen Bank: Raiffeisen Bank është e nderuar që ka udhëhequr këtë proces, i cili konfirmon drejtimin dhe ekspertizën tonë në sektorin financiar. Ne mbetemi të angazhuar për të mbështetur projekte të mëdha që nxisin përparimin ekonomik dhe ofrojmë zgjidhje financiare të përshtatura për të përmbushur nevojat e klientëve tanë.
Falë këtij investimi do të sigurohet vazhdimësia e operimit të qëndrueshëm të 3 hidrocentraleve, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në prodhimin e energjisë së rinovueshme në vend.
Ayse Tuvana Aydiner Kiraç, anëtare bordi, “Ayen AS Energji” sh.a: Ne besojmë se kjo marrëveshje partneriteti do t’i hapë rrugë edhe projekteve të tjera në të ardhmen. Ne jemi krenarë që kontribuojmë në rritjen e qëndrueshme të sektorit të energjisë dhe do të qëndrojmë të përkushtuar ndaj zhvillimeve të tjera miqësore me mjedisin në Shqipëri.
Raiffeisen Bank Shqipëri qëndron si një institucion financiar themelor i angazhuar për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike. Përmes zgjidhjeve financiare inovative dhe partneriteteve strategjike, Raiffeisen Bank Shqipëri synon të bëjë kontribute të rëndësishme në mirëqenien kombëtare dhe rajonale.
Tv Klan