Deputeti vë në diskutim pjesëmarrjen në Këshillin Politik: S’kemi nevojë të bëhemi pjesë e tresheve të tyre

Opozita parlamentare vazhdon të vërë theksin tek ndryshimi i sistemi zgjedhor. Deputeti Ralf Gjoni deklaroi këtë të enjte gjatë seancës plenare se javët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për jetën demokratike në vend.

Ai i shtroi pyetjen kreut të Kuvendit se pse nuk është futur në trajtim në Kuvend çështja e ndryshimit të sistemit. Me këtë rast, Gjoni i theu një përgjigje bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, duke thënë se sistemi nuk kërkon ndryshim kushtetute.

Madje, sipas opozitarit vendi ka nevojë për një rend të ri kushtetues, pasi deputetët e “kanë kthyer Kushtetutën në prostitutë Amsterdami”.

“Ndërkohë që parlamenti diskuton për energjinë elektrike, çdo shqiptar i ndershëm dhe i pavarur që nuk i përket komunitetit të lëpirësave të Lollipop partiak, militant të shëmtuar, të ndyrë, sot bën një pyetje të thjeshtë, përse ka frikë Edi Rama nga listat e hapura? Pse propozimi për ndryshimin e sistemit nuk është futur për trajtim në parlament, por trajtohet nga Damian Gjiknuri pa pikë kredibiliteti. Sistemi nuk kërkon ndryshim kushtetute. Që Shqipëria ka nevojë për një end të ri kushtetute, për një Kushtetutë të re nga A deri tek Zh-ja, kjo nuk ka dyshim sepse e keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit. Kështu e keni bërë Kushtetutën. Është e turpshme çfarë keni bërë”, tha Gjoni.

Deputeti u shpreh se reformimi i sistemi elektoral duhet të vijë nga parlamenti dhe jo Këshilli Politik ku bëjnë pjesë edhe opozitarët jashtë parlamentit.

Madje, Gjoni vuri në diskutim prezencën e opozitës parlamentare në Këshillin Politik nëse mes tre  partive kryesore vijojnë lojërat.

“Reformimi  i sistemit elektoral duhet të vijë nga ky parlament  dhe jo Këshilli Politik. I kam kërkuar zonjës Hajdari që përfaqëson vullnetin tonë në Këshillin Politik. Nëse vazhdojnë të luajnë dhe e përsëris publikisht Rudina, nëse ata vazhdojnë të luajnë lojëra prania jonë në atë Këshill duhet të fillojë të futet në atë këshill dhe ne nuk kemi nevojë që të merremi me lojërat e tyre dhe s’kemi nevojë të bëhemi pjesë e tresheve të tyre, në krevatet e tyre për t’i mbajtur pishtarin. Ne jemi për një kauzë të drejtë dhe unë do i shkoj deri në fund për ata kolegë që kanë këllqe t’i shkojnë deri në fund dhe do të diskretitojmë çdo pisanjos që do të votojë paloreformat e tyre duke i marrë me emër me mbiemër, me burrë, me vëlla, me biznese private, me tendera publikë. Do angazhohem t’i denoncoj një nga një te SPAK-u, që SPAK-u ta provojë që nuk fle gjumë si Lul Basha . Nuk do të ketë reformë elektorale siç do Lul Basha dhe Edi Rama”, tha Gjoni./tvklan.al