Shqipëria çeli grupkapitullin e tretë të negociatave me Bashkimin Europian. Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Rama, në një reagim në rrjetin social Twitter.
“Shqipëria mori letrën e presidencës polake, të Këshillit të Bashkimit Europian, ku na thuhet se vendi ynë është gati ti çelë negociatat edhe për grupkapitullin e 3-të. Me 29 Janar, Shqipëria mori letrën e presidencës polake edhe për grupimin, grupkapitullin e 2-të të tregut të brendshëm për nëntë fusha të tjera. Dy dyer të hapura në dy javë janë një risi në gjithë procesin, të paktën përsa i përket rajonit”, tha Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se falë reformave dhe zhvillimit që ka pësuar Shqipëria, ka ndryshuar dhe perceptimi i Bashkimit Europian për vendin tonë.
“Në këto dy dyer të reja të hapura, ne faktikisht bëhemi të dytët në rajonin tonë. Në aspektin e distancës me derën e madhe të Bashkimit Europian dhe janë shprehja më kuptimplotë e të vërtetës që ky vend po përparon me shpejtësi, për tu bërë vend anëtar i Bashkimit Europian. Pse? Jo se unë vesha atlete, vlerësojnë faktet ama. Kur e kemi nisur si vrima e fundit e kavallit. As vrimë jo, por me tapë e mbyllur”, tha Rama.
Edhe pse pa e përmendur situatën politike në vend dhe arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Rama tha se çdo gjë do të harrohet dhe do mbetet vetëm puna.
“Kjo është historia që po shkruajmë ne. Të gjitha çfarë ne jetojmë në të përditshmen do të harrohet, do ti marrë era. Ajo që do të mbetet është arkitektura e shtetit të ri europian shqiptar”, tha Rama.
Klan News