Shqipëria është gati t’i çelë negociatat edhe për grup kapitullin e tretë në negociatat me Bashkimin Europian, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.” Kështu thuhet në letrën e presidencës polake të Këshillit sipas Kryeministrit Rama.
“Dje ishte një tjetër moment historik në proces… Ne bëhemi të dytët në rajonin tonë, në aspektin e distancës me derën e madhe të Bashkimit Europian”, tha Rama.
Deklarata u bë në prezantimin e modulit të Inteligjencës Artificiale që po ndihmon ekspertët e integrimit në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE.
“Dua në radhë të parë t’ju falënderoj dhe një herë për punën tuaj dhe për faktin që e nderoni këtë vend, përkundër të gjithë shabllonit të shtrembër, sipas të cilit administrata shqiptare nuk meriton respekt”, tha Rama.
Sipas Ramës, vendi po përparon me shpejtësi për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian.
“Maja e 2030 të na gjejë me flamurin tonë në rresht, i pari se tani kemi ardhur në një fazë ku të huajt na shohin si A në çfarë bëjmë kurse brenda vetes Sh, Sh, Sh. Histori e njohur që e përndjek Shqipërinë denbabaden”, tha Rama.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga strukturat e integrimit, synon ta përshpejtojë procesin e futjes së Shqipërisë në BE.
Tv Klan