Edi Rama vijoi edhe këtë të enjte të këmbëngulë se nuk është duke mbrojtur individin Erion Veliaj, por po kërkon nga Prokuroria e Posaçme vetëm prova që të justifikojnë masën ekstreme të arrestit në këtë fazë kur ka vetëm dyshime për një të zgjedhur me mandat të dhënë nga populli.

“I dyshuari është kur Prokuroria ka mbledhur një sërë provash, por nuk ka krijuar bindjen se i ka të mjaftueshme për të kërkuar burgosjen e personit. Ndërsa, i pandehuri është kur Prokuroria e ka bindjen e mjaftueshme. A e dini që Kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilit dje ju dha masa “arrest me burg” nuk është i pandehur?”, tha Rama.

Nga Gjykata e Posaçme kërkon vetëm respektim të standardeve dhe jo vetëm për rastin Veliaj.

“Kërkesë më legjitime se kjo për standarde demokratike, jo për të ushtruar presion mbi prokurorët dhe gjykatësit apo që të mbulojnë apo të pengojnë çfarëdo qoftë lidhur me hetimin e kryetarit të bashkisë por për standarde se kur thonë tironcit “U njohëm si shumë”.Po çfarë janë të zgjedhurit që marrin votë nga populli për të drejtuar vendin apo për të drejtuar qytetin, “mish për top” janë këta, për një pushtet që u ndjeka aq i plotfuqishëm deri në pikën që të ndërpresë kontratën e një kryetari bashkie të kryeqytetit me zgjedhësit pa siguruar akoma të gjitha provat për ta bërë këtë gjë me gjyq dhe me vendim gjykate? Kush e mban përgjegjësinë për atë kontratë? Kush e drejton bashkinë e Tiranës tani Jo që të bëhet ky një mbi prokuror, se këtu na është bërë gjykata si: kemi Prokurorinë Speciale dhe pastaj gjykata është bërë stërspeciale që rrit peshën e dënimit, paraprak, paraprak, pa gjykuar fare. Kush do t’i bëjë 1001 punët për të cilat ka bashki për qytetarët dhe qytetarët kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë, kush? Stamo Dumoja? Kush? Apo gjykatësi?”

Sipas kreut të shumicës kur flet për paraburgimet që sipas tij janë vetëm si masa ekstreme në kushtet e flagrancave apo kur të akuzuarit merren si të pandehur i referohet raportit të Këshillit të Europës të 2023 i shef shifrat si ekstreme.

“BE e ka 24 perqind 24%. E dini sa e kemi ne paraburgimin? E dini sa ka në Shqipëri sot njerëz në burg pa gjyq? 61%. 6 po e dini ju që çdo person që futet atje, i kushton taksapaguesve, Urgjencë e madhe për të paraburgosur kryetarin e bashkisë, po pse s’ka urgjencë për 21 Janarin? Mund të ma thoni ju? Pse s’ka urgjencë për 21 Janarin? Për një krim monstruoz, janë vrarë 4 njerëz dhe është e vërtetë, është shumë e vërtetë”.

Rama ka një përgjigje dhe për reagimin zyrtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me deklaratat e tij. Edhe këtyre sikurse përfaqësueseve të SPAK-ut iu kujtojnë fondet që marrin vetëm për pagat, por këtë të fundit tregoi se ia di meritat e luftës kundër korrupsionit        .

“U bë trysni. Çfarë trysnie? Ju bëni punën atje se merrni gjithë ato para, keni një buxhet të jashtëzakonshëm, keni paga të jashtëzakonshme. Çfarë bëjnë atje njëmijë a dymijë punonjës që keni atje? Me këto merruni ju, shqetësohuni a është e vërtetë ajo historia e asaj dosjes së atij gjykatësit, a janë të vërteta ato historitë e manovrime që si ka mundësi që këto dosjet bien po në kokë? Këto merruni ju. Nëse nuk janë të  vërteta, dilni e thoni nuk janë të vërteta dhe unë i pari do jem njeriu më i lumtur, por si mendoni ju, do rrimë pa kërkuar standarde pa folur? Harrojeni, nuk ndodh kjo. Nuk ndodh kjo sepse jua thashë, unë nuk shoh asnjë, asnjë nuk shoh. Emrat e mbiemrat janë të secilit, secili t’i mbajë siç do, me nder apo me turp”.

Por thënë të gjitha këto kryeministri përsërit se garancia e vetme në këtë vend për vijueshmërinë e SPAK-ut është vetëm ai dhe partia e ti.

“Nëse nuk mbron Edi Rama në betejën e tij bashkë me Partinë Socialiste, harrojeni SPAK-un, nuk keni SPAK. Pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk ka SPAK, kjo është e qartë. Nuk do kishte, as nuk diskutohet, por nuk ka sepse bufi i kënetës e thotë dhe në mënyrë deklarative “Më jepni votën të shkrij SPAK-un” dhe nuk mendoj se i shkon njeriu mendja që SPAK-un, nëse nuk e garanton bashkë me gjithë reformën në drejtësi kjo kocka këtu dhe Partia Socialiste e Shqipërisë bashkë me mua, nuk mund ta garantojnë ato kallgacet rreth e rrotull kënetës të atyre partiçkave që kanë të re vetëm moshën e pronarit të tyre se gjë tjetër të re nuk kanë sepse kanë të njëjta metoda dhe të njëjtën sjellje si sjellja e bufit të kënetës, por janë si mrokulla të vogla dhe i bëjnë hosana SPAK-ut sepse  mendojnë që SPAK do ju heqë qafe kundërshtarët dhe këta do rriten. Do rriten se është lis i madh Partia Socialiste. Nën hijen e një lisi të madh nuk mbin kollaj gjë tjetër”.

Kërkesës së përsëritur nga mbështetësit në komunikimin “Sy më Sy” për të dhënë dorëheqjen i jep prej kohesh të njëjtën përgjigje.

“Kujtoni është ndonjë kënaqësi restoranti kjo apo është ndonjë kënaqësi plazhi. Kjo është luftë e përditshme, kjo është sakrificë. unë jam këtu për t’ju ulur në tryezën e Bashkimit Europian. Unë jam këtu për ta parë me sytë e mi atë “Albania” në atë tryezë”.

Për kreun e opozitës, pati edhe një mesazh në fund.

“Se ke marre atë të Trump. Do ta shohim…”

Pak pasi mbylli komunikimin “Sy me Sy”, në një postim “X” hodhi poshtë lajmin e përhapur në internet se ishte nisur në Durrës për të takuar Veliajn, duke thënë “se beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve, jo e tija dhe e Partisë Socialiste”.

Tv Klan