Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të Shtunë një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Ishte ky i fundit që bëri publik lajmin me një koment në rrjetin social “X”. Ai e quajti bisedën të mirë ndërsa falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e dhënë.
Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe falënderova qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit tonë. Diskutuam shumë tema specifike, projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera”.
Nisur nga debatet pas përjashtimit të Kievit dhe Brukselit nga tryeza e bisedimeve mes Moskës dhe Uashingtonit, Zelenskyy këmbëgul që Ukraina dhe BE-ja të jenë pjesë e negociatave.
“Biseduam edhe për iniciativat diplomatike evropiane. Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka për Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës. Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën”.
Gjithashtu për të njëjtën çështje, Zelensky bëri të ditur se ka pasur biseda telefonike edhe me kryeministrat britanik Keir Strarmer, atë grek Kyriakos Mitsotakis dhe atë holandez Dick Schoof.
Shqipëria ka qenë e palëkundur në vijimësi në mbështetje të Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus. Për Ukrainën u zhvillua edhe një samit europian në Tiranë si dhe u mbajt një seancë e posaçme në Këshillin e sigurimit të OKB-së, kur Shqipëria kishte drejtimin.
Tv Klan