I pranishëm në Panairin e Punës që zhvillohet në sheshin Skënderbej, Kryeministri Edi Rama tha se çelja e vendeve të punës është reale. Teksa u shpreh i ndërgjegjshëm që pagat duhet të jenë më të larta, Kryeministri theksoi se puna nuk është vetëm ajo në shtet dhe sipas tij ndërmarrjet në të gjithë vendin kanë vende të lira pune.
“Kemi një situatë që është në përmirësim të vazhdueshëm. Faktikisht në të gjithë ndërmarrjet e Shqipërisë ka vende pune. Ajo që është e rëndësishme është që të kuptohet se puna nuk vjen në shtëpi, se puna nuk është puna e shtetit dhe se për ne është e domosdoshme që të ndajmë njëherë e mirë këtë vijë, domethënë të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizëse që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat”.
“Natyrisht që kur vjen puna tek pagat, ato duhet të rriten, por që paga të rritet duhet të rritet ekonomia dhe për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku”.
Rama theksoi se privati ofron pozicione të ndryshme pune, me paga të ulëta, mesatare e të larta. “
Ndërkohë që këtu në këtë panair ka jo vetëm paga të ulëta. Këtu mund të shihni që ka banka që kërkojnë punonjës, ka kompani të mëdha që kërkojnë menaxherë”.
“Jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, rritja e mundësive për punë është reale, por duhet të luftojmë të gjithë sëbashku me një psikologji të rëndë të trashëguar, se më mirë një punë shteti, ose pastaj në kafe me lekët e mamit dhe të babit, edhe në Facebook duke i thënë kryeministrit ‘o legen na gjej punë…’.”
Kryeministri ndaloi në çdo stendë të tij ku bashkëbisedoi me punëdhënësit, të cilët i pyeti për vendet e punës që ofrojnë dhe kërkesat për punë që kanë.
/tvklan.al