“Detet nuk mund të shiten e blihen fshehurazi”
Kryeministri Edi Rama thotë se vendimi i Greqisë për të zyrtarizuar zgjerimin në 12 milje në detin Jon është një e drejtë e shtetit fqinj dhe që nuk prek interesat e Shqipërisë. Në një reagim në rrjetet sociale ai thekson se dekreti i Athinës zyrtare për zgjerimin ujërave në 12 milje buron nga konventat ndërkombëtare dhe që zbatohet vetëm aty ku është mundësia, por jo në rastin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në kanalin e Korfuzit dhe gjirin e Sarandës.
“E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!”
Si provë se ushtrimi i kësaj të drejte nuk cënon hapësirën territoriale, Kryeministri publikoi një dekret të autoriteteve shtetërore shqiptare që mban datën 23 Mars të vitit 1990, ku vendi ynë ka ushtruar te drejtën e 12 miljeve që po e ushtron aktualisht Greqia.
“Ja edhe dokumentet e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!”
Duke i konsideruar llum nacional-folklorik të gjithë ata që kanë ngritur sërish shqetësimin për shitjen e detit, Rama i konsideron akuzat si shpifje dhe marrëzi që bëhen vetëm për përfitime politike.
“Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës, ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës, ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!”
Dy muaj më parë Ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias dhe Kryeministrit Edi Rama deklaruan në Tiranë se për zgjidhjen çështjes së detit do t’i drejtoheshin një gjykate ndërkombëtare.
Tv Klan