Pak orë nga shqyrtimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka ardhur reagimi i Tiranës zyrtare. Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së përkujtimit te jetës dhe veprës së shqiptarit Arben Xhaferri tha se Gjuha Shqipe është shtet-formuese dhe se nuk është çështje interpretimi juridike apo ligjore.
“Është në një kontekst të pashpjegueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. Unë nuk them që ata që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve apo vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme se partitë politike zgjidhen 1 herë në 4 vjet dhe herë janë në një anë herë në tjetrën, por gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve.”
Zanafillën e këtij debati të ndezuar ditët e fundit, kreu i qeverisë shqiptare nuk e gjen te popujt, por udhëheqësit dhe partitë për të cilat tha se janë të përkohshme ndërsa Shqipja është dhe do të mbetet e përhershme në Maqedoninë e Veriut.
“Problemi nuk janë popujt në vetvete, janë udhëheqjet, që në vend që ta kurojnë këtë strabizëm etno-poltiik, në fakt e përdorin dhe e shfrytëzojnë duke u përpjekur në vazhdimësi që objektin e diskutimit dhe të nevojës për të mos e parë shtrembër njëri tjetrin ta spostojnë nga qendra e ta devijojnë aty ku sheh syri etno-strabik, e kështu krijohet një vazhdimësi e imponuar jo nga popujt por nga udhëheqjet për të stimuluar shikimin e të ardhmes me sytë e të shkuarës“, u shpreh Rama.
Klan News