“Kam 2 vjet që e pres këtë moment.” Kështu u shpreh këtë të martë kryeministri Edi Rama para kompleksit që është ndërtuar në Laç pas tërmetit të 2019-s. Kompleks që do të mbajë 500 familje, por edhe njësi shërbimi.
Gjatë ceremonisë, kreu i qeverisë nuk la pas edhe ironinë me situatën në Partinë Demokratike. Rama iu kërkoi banorëve që të bëjnë kujdes se mos iu ndërrojnë bravat, duke qenë se sipas kreut të qeverisë janë shumica votues të PD-së. Po ashtu, ai u kërkoi të ngrenë dy gishtat lart.
“Këtu në këtë pikë e kam pritur këtë moment se këtu ka qenë skepticizmi më i madh, që nga thashethemet se këtu do prishen dhe nuk do na i japin më kurrë mbrapsht se do të ndërtojnë pallate për lekët e veta. Pastaj te thashethemet që do i ndërtojnë, por do na i japin me lekë. Pastaj lloj-lloj thashethemesh, por ja ku jemi sot këtu dhe këtë lagje ë faktikisht do të donte ta kishte çdo kush në Tiranë e keni ju dhe ndryshe nga lagjet e Tiranës, apo nga pallatet e reja në Tiranë që janë me këto standarde dhe kushtojnë shumë shtrenjtë ju këto shtëpi dhe të gjitha ato që kishin njësi shërbimi më parë, njësitë e shërbimit këtu do t’i keni falas, do t’i keni me dokumente pronësie njësoj si çdo pronar i ligjshëm. Duke qenë se votoni masivisht atë partinë tjetër duhet të bëni kujdes mos iu ndërrojnë bravën. E kam pritur këtë moment edhe për këtë arsye sepse shumë herë ajo partia e shumicës këtu që tani po bëhet me shtëpi të re dhe janë me buzët vesh në vesh, aman mi ngrini dy gishta se më mori malli, nuk po shoh dy gishta në asnjë vend. Ngrijini dy gishtat. Bravo! Ja i ngriti. Këtu është shembulli më kuptimplotë që rindërtimi nuk është bërë për socialistët, por për të gjitha familjet shqiptarë të prekura nga tërmeti, socialistë, demokratë, çfarëdo qofshin. Të gjithë ata që mund të kenë dëshirë të bëjnë fotografi me mua kur vij këtu, apo për të gjithë ata që ma lexojnë librin e shtëpisë prapa shpine kur kaloj nga rrugët e Laçit, pavarësisht nga të gjitha këto sepse rindërtimi është program për të gjithë shqiptarët që në momentin më kritik të jetës së vet, por edhe për vendin, ne ishim të vendosur që të mos e linim e vetëm dhe t’i gjendeshim pranë. Dhe siç e kam thënë ditën e parë nga dheu do t’i nxjerr lekët dhe ju do të hyni në shtëpi që do të jenë më të mira se ato që humbët. Tani ja ku i keni. Këtu dhe jo vetëm këtu, por në 11 bashkitë që janë prekur nga tërmeti”, tha Rama./tvklan.al