Kryeministri Edi Rama premtoi nga qyteti i Kuçovës rritje pagash për të gjithë Forcat e Armatosura. Kreu i qeverisë tha se rritja prej 19 % është më e madhja e bërë në historinë e Forcave të Aramatosura.

“Më në fund pas shumë vitesh lënie disi në hije për nga vlerësimi financiar do bëjmë një rritje pagash për Forcat e Armatosura, pasi gjatë punës me draftin e buxhetit 2019 kemi mundur së bashku me ministren dhe falë këmbënguljes së saj të fitojmë dabatin me ministrinë e Financave. 

19 % për FA dhe duke e shkallëzuar atë më tutje sipas niveleve. Kjo është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e Forcave të Armatosura dhe është një rritje e stërmerituar. E kanë bërë Shqipërinë krenare dhe opinionet e partnerëve tanë për misionet janë shumë të mira për njerëzit që kanë shkuar dhe kanë përfaqësuar Shqipërinë në misionet jashtë vendit. 

Në Kuçovë Rama foli për Buxhetin e Mbrojtjes për vitit 2019.

“Buxheti i vitit 2019 është pasqyrë e këtij angazhimi. Buxheti i Mbrojtës për vitin 2019 është 22 miliardë Lekë, dhe përbën një rritje prej më shumë se 10 %  krahasuar me këtë vit”.

Kreu i qeverisë dha detaje edhe për projektin e NATO-s që ka zgjedhur Shqipërinë për të ngritur bazën e tij ajrore. Kryeministri bëri më dije se do të investohen mbi 50 milionë Euro që do të thotë më shumë vende punë dhe zhvillim ekonomik për zonën.

“Pas viteve ’90 kjo zonë aq e rëndësishme strategjikisht për mbrojtjen dhe Forcat tona të Armatosura ishte e braktisur deri kur falë angazhimit tonë, por edhe falë respektit që kanë fituar Forcat e Armatosura në sytë e NATO-s morëm angazhimin e saj për të investuar në këtë bazë mbi 50 milionë Euro.

Është investim që do të mundësojë transformimin në një aeroport ushtarak të NATO- s që do të shërbejë si bazë për furnizimet ajrore, logjistikën si dhe për stërvitje e forcave të aleancës, por edhe një bazë për forcat tona të armatosura. Ky investim do të krijojë zhvillime të reja për më shumë punësim edhe më shumë ekonomi në një rreze të caktuar rreth saj. Ne jemi angazhuar shumë seriozisht për të mbushur detyrat e caktuara”,

tha Rama./tvklan.al