Kryeministri Rama mori pjesë në samitin COP29 që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit e që bëri bashkë 200 liderë botërorë.

Punimet e samitit u zhvilluan të mbyllura por temat e diskutimit lidheshin me përpjekjet globale për frenimin e krizës klimatike dhe zbutjen e pasojave e saj.

Liderët botërorë janë fokusuar në këtë samit dhe adresimin e angazhimeve të reja financiare për vendet e varfra që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike.

Gjatë qëndrimit në Baku, vetë Kryeministri lajmëroi se mbrëmjen e së hënës ka pasur mundësi të takohet me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed Al Nahjan të cilin e cilëson si një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë.

Kryeministri pohon se kanë bashkëbidesuar për ecurinë e projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, si krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë, shtypshkrimi i letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri dixhital i kontrollit të trafikut.

E ky bashkëpunim për të cilin ka biseduar Rama e Al Nahjan është konkretizuar këtë të marrë me nënshkrimin e marrëveshjes mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) dhe Masdar, gjigandit të Emirateve të Bashkuara, për krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në Shqipëri.

Si CEO i Masdar ashtu dhe ministrja Balluku, që ishte pjesë e ceremonisë së nënshkrimit së bashku me kryeministrin, e vlerësuan këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme për sektorin e energjisë elektrike.

“Gjatë zhvillimit të COP29 në Baku, përveç të gjitha paneleve ku ne kemi fatin e madh të promovojmë një Shqipëri e cila prodhon 100% energji të rinovueshme, sot kemi firmosur një nga marrëveshjet më të rëndësishme të bashkëpunimit me gjigandin Masdar, kompania emiratase e cila operon prej kohësh në Ballkan, por që tashmë ka vendosur një bashkëpunim të qenësishmë me Korporatën Elektroenegjetike Shqiptare, krijimin e një kompanie të përbashkët e cila do të investojë në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha në Shqipëri”, u shpreh Balluku.

“Ne kemi krijuar një partneritet të përbashkët dhe po zhvillojmë projekte të energjisë së rinovueshme në vend. Siç e dini, Masdar është shumë aktiv në rajonin e Ballkanit, dhe në fakt, jemi një nga kompanitë më të mëdha të energjisë së rinovueshme në botë. Jemi të lumtur që do të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare dhe KESH për këtë projekt strategjik, i cili do të shfrytëzojë burimet e jashtëzakonshme të energjisë së rinovueshme që Shqipëria ka. Presim të punojmë ngushtë me ju për ecurinë e këtij projekti, veçanërisht gjatë COP29 këtu në Baden”, tha ministri Mohamed Jameel Al Ramahi.

Në Baku, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aljev, u nënshkrua marrëveshja mes Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOKAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.

Zv/kryeministrja Balluku pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje tha se projekti do të nisë nga zbatimi në vitin 2025. Ajo theksoi se projekti do të shtrihet në zonën e Pogradecit dhe Ersekës, duke synuar që industria të ketë alternativën e përdorimit të gazit duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve shqiptare ne vitin 2030.

Tv Klan