Një atmosferë plot entuziazëm ka përcjellë në rrjetet e tij sociale Kryeministri Rama nga Panairi i Turizmit i Berlinit.
Rama ka përfshirë kësaj herë në këtë transmetim edhe disa persona nga stafi i tij.
“Janë mbi 100 operatorë të cilët po prezantojnë. Janë gati për të prezantuar të gjithë paketat, itineraret, për të bërë gati kontratat”, tha Mirela Kumbaro.
Synimi për 2025-ën, është tejkalimi i numrit 500 mijë turistë gjermanë, nga 400 mijë që kanë qenë vitin që lamë pas.
“Vera e vjetshme na ka çliruar shumë. Kanë ardh shumë nga pararojat e vëzhgimit për të parë dhe arritëm në afro 400 mijë turistë gjermanë dhe këtë vit synojmë që të kapërcejmë gjysmë milionëshin, të paktën me turistë gjermanë. Po turistët gjermanë janë vërtetë një lloj testi shumë domethënës sepse të ngadaltë në marrjen e vendimit përpara se të hyjnë në një vend, pastaj janë komplet pushtues. Kështu që janë turistë që shpenzojnë në mënyrë domethënëse”, tha Edi Rama.
Shqipëria ka zënë një hapësirë 800 m2 në qendër të panairit të Berlinit. Edhe kryetari i Bashkisë së Berlinit u premtoi live ndjekësve të Kryeministrit Rama në rrjetet sociale se ai do të vinte së shpejti në Shqipëri.
Grupi shqiptar interpretoi edhe këngën “Baresha” dhe pjesë të tjera muzikore të traditës sonë popullore.
Klan News