Kryeministri Rama në takimin me shqiptarët në Nju Jork tha se në listat e deputetëve të PS për zgjedhjet 2025 do ketë edhe kandidatë nga diaspora.
Rama theksoi se është në dorë të diasporës që t’i votojë këto kandidatë që të futen në Parlamentin shqiptar.
-Çfarë plani konkret keni ju që këtë rini apo intelektualë në diasporë, që në politikën shqiptare të keni në planin tuaj që pjesëtarë nga diaspora të jenë në Parlamentin shqiptar çdo katërvjeçar.
Edi Rama: Sa i përket pyetjes së drejtëpërdrejt, as nuk diskutohet që pa mbështetjen e emigrantëve Shqipëria do të kishte hyrë në situata më të rënda se nga ato që hyri me kriza të të shkuarës ku ajo e ‘97 ishte më e llahtarshmja ku emigrantët e mbajtën Shqipërinë në këmbë me ndihmat për familjen dhe ekonominë e vendit. Shuma që emigrantët kanë derdhur për Shqipërinë çdo vit ka qenë shuma më e madhe krahasur me të gjithë të ardhurat e tjera nga sektorë të ndryshëm apo investimeve të huaja dhe kjo është e padiskutueshme.
Sa i përket përfshirjes së emigrantëve apo atyre që janë banorë jashtë Shqipërisë dhe përfaqësimit në Parlament ne kemi hapur një platformë që të gjithë të përfshihen dhe ne do të përzgjedhim edhe mes atyre që kanë shprehur interesin edhe nga Amerika. Kështu që të jeni të sigurtë që në listën e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme do të gjeni në të gjitha qarqet edhe shqiptarë që janë në emigracion pastaj ju takon ju që t’i mbështesni me votë dhe ata të hyjnë në Parlament.
/tvklan.al