“Të vendosim një kusht që për çdo përqindje të rritjes ekonomike të vendit, një pjesë e rritjes t’i shkojë drejtëpërdrejt pensionistëve” kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në takimin me shqiptarët e Amerikës sa i takon rritjes së pensioneve në vend.
Rama theksoi se pensionistët janë pengu i madh i qeverisë, pasi vetëm tek ata nuk është ndjerë rritja ekonomike dhe kjo jo sepse nuk do qeveria, por sipas tij kaq janë mundësitë, kjo e ndikuar edhe nga sigurimet shoqërore.
Edi Rama: Ky është pengu i madh edhe për ne, flas si forcë politike që është ende i pashlyer dhe ka të bëjë me pensionistët. Kjo nuk është një çështje mendo pak më shumë për ata sepse unë mendoj më shumë për ata se për këdo tjetër, sepse aty e shohim që sado progres të kemi bërë, por nëse nuk e çojmë rritjen ekonomike edhe tek ata, misioni ynë nuk është i përmbushur. Sepse nga rritja ekonomike kanë përfituar të gjithë përveç atyre.
Sot të gjithë kanë paga shumë të larta. Në sektorin publik e kemi çuar mesataren në 900 Euro. Ne kemi rritjen më të lartë në të gjithë rajonin, po kështu të ardhurat për frymë, mirëpo kjo nuk ka shkuar tek pensionistët dhe ne po përpiqemi aktualisht, por janë disa gjëra që duhet të kuptohen. Duhet të kuptohen se çfarë po bëjmë ne aktualisht. Pensionet janë të lidhura me kontributet e atyre që janë në punë dhe duke qenë se në vite nuk janë paguar kontributet hendeku është bërë shumë i madh. Pensioni që dikush merr sot është shuma e kontributeve që dikush paguan sot nga paga dhe nëse ai dikushi nuk e paguan pensionin duhet ta mbulojë shteti nga taksat. Aktualisht që flasim ne mbulojmë gjysëm miliardi Euro çdo vit për pensionet sepse ndryshe nuk del nga sigurimet.
Ne kemi bërë të gjithë këtë përpjekje ku sot kemi mbi 20 marrëveshje dhe kemi nënshkuar marrëveshjen dhe me Italinë duke bërë të mundur që ata që janë jashtë të marrin pensionet për sigurimet që kanë derdhur jashtë, plus sigurimet që kanë derdhur kur kanë punuar në Shqipëri. Nuk është çështja a do qeveria, por e mundësive që kemi.
Ajo që po bëjmë është që qysh nga fundi i këtij viti është të risim bonusin e fundvitit që dikur kur erdhëm në qeveri ishte 30 mijë lekë, aktualisht është 50 mijë lekë dhe këtë duam ta rrisim në mënyrë të ndjeshme ndërkohë që duam të fillojmë një plan rritje duke menduar që të vendosim një kusht me ligj që për çdo përqindje të rritjes ekonomike të vendit, një pjesë e rritjes ekonomike t’i shkojë drejtëpërdrejt pensionistëve. Ky është plani. Konkretizimi i këtij plani kërkon edhe pak kohë për ta shpallur edhe disa vjet për tu bërë. Përgjigja e drejtëpërdrejt për të gjithë të interesuarit për pensionet është që po ne do të bëjmë diçka të ndjeshme dhe të rëndësishme për t’i përfshirë pensionistët në këtë hapsirë të re të rritjes ekonomike.
/tvklan.al