Kryeministri Edi Rama është përulur përpara emigrantëve shqiptarë në Athinë në shenjë respekti ndaj tyre, por njëkohësisht ka kërkuar edhe falje për çdo gabim që mund të ketë bërë gjatë detyrës së tij në këto 10 vite qeverisje.
Por ai theksoi se në asnjë rast nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar që i ka besuar detyrën e Kryeministrit.
Madje theksoi se asnjë forcë madhore nuk mund ta joshë apo detyrojë atë që të cënojë interesat kombëtare të Shqipërisë.
“Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shikoni çfarë ka brenda, por unë nuk iki dot sot pa ju thënë edhe 2 fjalë.
Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto 10 vjet, ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm.
Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë se sa të udhëheqë vendin e tij, prandaj nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që mos o Zot më josh a më detyron dot mua të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës tuaj për të cënuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por e di shumë mirë që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë.
Falë jush kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do kem një më të bukur se kjo”.
/tvklan.al