Kryeministri Edi Rama nëpërmjet postimi në rrjetet sociale ka ftuar shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, në takimin e 12 Majit që do të mbahet në ora 11:00 në sallën Christmas Theatre në stadiumin Galatsi.
“Me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë”.
Një ditë më parë, Rama publikoi një foto të takimit të afro 20 viteve më parë, si lideri i opozitës me shqiptarët që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar në 18 vjet, por dy më të sigurtat që lidhen edhe me këto foto janë, që mua s’më ka mbetur asnjë fije floku e zezë dhe që pasi kaluan detin në këmbë si udhëtarët e paepur të rrëfimeve të lashta shqiptarët e greqisë janë sot një histori krenarie kombëtare, qytetarie europiane dhe suksesi të pamohueshëm”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Tv Klan