Në të njëtjën ditë kur Parlamenti do të diskutojë ngritjen e komisionit hetimor për Presidentin, opozita do të protestojë për largimin e Kryeministrit Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e tubimit të 8 Korrikut, duke theksuar se opozita është e vendosur të mos bëjë asnjë hap pas.
Në mesazhin e tij, Basha ka ftuar qytetarët që në këtë tubim të marrin edhe fëmijët e tyre, duke lënë të kuptohet se protesta do të jetë paqësore.
Ai thotë se do të protestohet kundër diktaturës së krimit për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë dhe për Shqipërinë si gjithë Europa.
Protesta e paralajmëruar e opozitës është komentuar edhe nga Kryeministri Rama që ka cituar një thënie të Martin Luther King. “Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen”, shkruan Rama.
Tv Klan