Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill kanë takuar liderët botërorë në New York gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së. Një takim të veçantë çifti presidencial i ka rezervuar kryeministrit shqiptar Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda. Në këtë takim ka qenë e pranishme edhe presidentja kosovare Vjosa Osmani me bashkëshortin e saj. Pjesën kryesore të fjalimit presidenti Biden ia dedikoi mbështetjes për Ukrainën.
“Putin ka kryer sulmin e tij të egër kundër Ukrainës. Për 944 ditë, populli ukrainas ka qëndruar i palëkundur dhe i papërkulur. Ne qëndrojmë me Ukrainën tani dhe në të ardhmen për Rimëkëmbjen dhe Rindërtimin e saj. Ne e dimë se fitorja e Ukrainës ka të bëjë më shumë sesa me atë që ndodh në fushën e betejës. Ka të bëjë gjithashtu me atë që bëjnë ukrainasit për të përfituar sa më shumë nga një e ardhme e lirë dhe e pavarur për të cilën ka sakrifikuar aq shumë.”
Biden vlerësoi faktin se Ukraina po vazhdon të bëjë reformat e nevojshme për të luftuar korrupsionin.
GDP-ja e Ukrainës sipas Biden është e qëndrueshme dhe në fakt po rritet. Industria e mbrojtjes e Ukrainës, është 6 herë më e madhe se sa ishte një vit më parë. Ukraina tani po eksporton pothuajse po aq drithë sa bënte para luftës, duke ushqyer njerëzimin. Liderët u angazhuan që të mbajnë Rusinë përgjegjëse për dëmet që ka shkaktuar. Aktualisht janë ngrirë 280 miliardë dollarë në fondet e Bankës Qendrore të Kremlinit jashtë Rusisë.
Klan News