Këngëtarja e madhe Parashqevi Simaku është shtruar në spital psikiatrik. Këtë gjë e ka njoftuar biznesmeni Elton Ilirjani në Instagramin e tij. Me peshë të madhe emocionesh, tha ai, duhet të informonte publikun për të vërtetën.

“Përshëndetje, kam shumë emocion për atë që do them në vijim, për qindra e mijëra njerëz që janë të interesuar për gjendjen e Parashqevi Simakut. E kuptoj interesin e publikut dhe e ndjej, sot e ndjej shumë peshën e emocioneve. Sot dua të ndaj të vërtetën me ju, sepse nuk është më një çështje e Parashqevi Simakut, por me interes shumë të madh. Nuk më intereson si do dukem, si do ngjaj… Është e rëndësishme të thuhet një e vërtetë shëruese, jo mediatike. E vërtetë e dalë nga zemra që e do fort Parashqevi Simakun. Ajo ishte si një meteor që më goditi dhe mua, dua t’i them publikut se çështja e saj nuk është çështje që zgjidhet me para. Nesër bën plot dy javë që është e shtruar në spital psikiatrik në New York City. Është shumë e trishtë dhe për mua ka qenë një ndër momentet më të vështira”, tha Ilirjani.

Sipas tij, në aq kohë sa kanë qëndruar bashkë nuk ka arritur ta kuptojë se Simaku kishte nevojë për kurim.

“Çdo sëmundje është e njëjtë, nuk ka sëmundje të mira dhe të këqija. Nuk e dinim ne që Parashqevia ishte e sëmurë dhe kishte probleme. Patjetër që nuk e dinim, se nuk jemi doktorë dhe s’japim dot diagnozë.”

Rrëfen se problemet nisën pas takimit të saj aq të dëshiruar me djalin, Lukën.

“Çdo gjë ishte në rregull derisa takoi djalin e saj. Shumë e kanë komentuar takimin e saj dhe kanë parë aty sipas tyre sjellje jo normale. Ditën e parë ishte çdo gjë në rregull, por problemi nisi të nesërmen. Dita nisi me shumë probleme, për ne dhe Parashqevinë, e cila u përball me një realitet që nuk e pranonte. Të gjithë ne gjendemi në situata të tilla dhe ajo pati një krizë. Krizë që u bëri keq të gjithëve, përfshirë dhe Lukën. Ajo nuk është mirë dhe atë ditë na solli para syve një Parashqevi që nuk ishte më ajo, fliste për gjëra të çuditshme. Nuk po e ndihmonim dot. Situata doli komplet jashtë kontrolli dhe ne duhej të bënim diçka.”

Foto nga ribashkimi i Parashqevi Simakut me djalin, Lukën

Shanset janë të mira që Parashqevia të marrë mjekim me vendim gjykate që ajo të dalë më e fortë. Por ka dhe një shans që mund të dalë nga spitali nesër e pa mjekuar sepse shteti i New York-ut i ka këto ligje. Ajo është në një krizë të thellë, nuk flet arsyeshëm. Ka një fiksim të pashpjegueshëm, kërkon gjëra të pashpjegueshme dhe nuk është në gjendje t’i kthehet jetës së saj të mëparshme”, përfundon Ilirjani.

Pas shumë vitesh e “zhdukur”, këngëtarja ikonë u bë lajmi më i bujshëm më 12 Dhjetor të 2024-ës, pas një videoje që bëri xhiron e rrjetit.

/tvklan.al