Në ditën e dytë të qëndrimit në Nju Jork, ku do të marrë pjesë edhe në çeljen e punimeve të sesionit të ri të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama u bë pjesë e tryezës së dialogut me temë “Drejt një të ardhmeje të përbashkët digjitale”.
Në ndërhyrjen e tij kreu i qeverisë shqiptare theksoi se teknologjia digjitale është bekim për vendet në zhvillim, ndërsa solli në vëmendje se falë zhvillimit të saj, sot në Shqipëri shumica dërmuese e shërbimeve publike ofrohen online.
“Ne në Shqipëri e kemi parë këtë gjë në jetën reale dhe përmes përpjekjeve tona duke u bërë një vend në të cilin 95% të shërbimeve sot ofrohen në internet e ku të gjitha sportelet fizike dhe radhët e gjata janë tashmë histori.”
Më tej ai nënvizoi sesi Shqipëria megjithëse një vend i vogël, po përdor avantazhet që të ofron teknologjia për të përmbushur detyrimet që lindin në procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për të luftuar fenomene negative siç është korrupsioni.
“Nga ana tjetër, e shohim në modelet në zhvillim të Inteligjencës Artificiale. Pra po përpiqemi t’i përdorim për të nxitur edhe më shpejt përpara negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin atje e po kështu po e shohim një gjë të tillë edhe në ndërtimin e modeleve të reja për prokurimet publike tërësisht transparente dhe 95% të pa menaxhuara nga njeriu”.
Por sipas kryeministrit Rama teknologjia nuk është vetëm një bekim, por dhe një mallkim për njerëzimin. Dhe për këtë ai solli si shembull, sulmet kibernetike që Irani kreu ndaj Shqipërisë, të cilat sipas tij dëshmuan sesa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të jetë e dëmshme për vendet dhe për qytetarët.
“Nuk ka aspak dyshim se në qoftë se do të jemi në gjendje, a do të mundemi të krijojmë një sistem ku bota dhe bashkësia e kombeve do të marrë më të mirën e premtimeve të teknologjisë digjitale e po kështu do të zbusë të gjitha disavantazhet e saj dhe efektet e dëmshme që mund të lindin nga përdorimi i kësaj teknologjie në mënyrë dashakeqe, bota do të ishte një vend shumë më i mirë”.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë edhe në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga shefi në ikje i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Klan News