Promovohet albumi me foto të transformimit të qytetit ndër vite
Metamorfoza spektakolare e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës e parë nga ajri erdhi si një dokumentar dëshmi përmes fotove të mbledhura në një album me bashkëautorësi të kryeministrit Edi Rama dhe Alket Islamit.
Pamjet e Tiranës nga rrumpalla e viteve ‘90 tek rrokaqiejt e shekullit të ri, siç shprehet edhe kryeministri Edi Rama u shpalosën për publikun edhe përmes opinioneve të arkitektëve më të njohur ndërkombëtarë, të cilët e shohin si një metropol modern.
Tiranën e vitit 2000, atëherë kur mori sfidën për të nisur ndryshimin si kryebashkiak, Edi Rama e përshkruan të zymtë, por sot perspektivën e sheh ndryshe.
“Nëse sot ne ndjejmë kënaqësinë që kemi dalë nga ai llum i tmerrshëm ku e hapëm shekullin e ri në Tiranë, nesër do të jemi banorë dhe qytetarë të njërit nga kryeqytetet më të bukur të Europës e patjetër. Tirana duhet të jetë metropoli më atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti europian i gjithë rajonit tonë.”
Kryetari i bashkisë Erion veliaj vlerësoi se sot Tirana është një qytet destinacion.
“Tirana e Edit, ose Tirana që gjeti Edi ishte Tirana e botës së tretë. Sot diskutimet tona janë të botës së parë dhe çfarë rrugëtimi fantastik ka qenë ky për ne që punojmë në Bashkinë e Tiranës, për ne që marrim stafetën nga skuadra e Edit që nisi atë transformim të jashtëzakonshëm që për disa u quajt një debat për ngjyrat dhe për Lanën kurse për 90 e ca % të qytetit ishte debat që transformon qytetin nga kështu, kështu dhe që sot e ka kthyer Tiranën në një destinacion dhe jo në një vend tranzit.”
Nga ana e tij, fotoreporteri Alket Islami dhe autor i albumit solli përshtypjet nga puna me kryeministrin dhe momente të transformimit gradual të qytetit, nga infrastruktura urbane e deri në objektet kulturore dhe sociale që kanë ndikuar në zhvillimin e tij.
Klan News