Ballkani, rruga kryesore e kalimit të heroinës në Europë
Bllokimi i kufijve nga pandemia Covid-19 solli edhe ndalimin e përkohshëm të shpërndarjes së kokainës, heroinës dhe kanabisit në Bashkimin Europian, por trafikantët shpejt zbuluan metoda të reja dhe u përshtatën me situatën. Kështu thuhet në Raportin Europian për drogën.
Duke cituar raportin, Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, tha se trafikantët po depërtojnë në zinxhirët e furnizimit të ligjshëm të mallrave dhe në porte të mëdha.
“Kur filloi pandemia, u ul edhe furnizimi me drogë. Në disa shtete anëtare kjo solli dhe një rritje të dhunshme të kriminalitetit. Grupet e krimit të organizuar shpejt u adaptuan dhe gjetën modele të reja biznesi. Pavarësisht bllokimit, pavarësisht kufijve të mbyllur, pavarësisht kufizimeve për njerëzit që largohen nga shtëpitë e tyre, trafikantët e drogës gjetën mënyra për të shpërndarë drogë te klientët e tyre”.
Ndërkohë në raport përmendet edhe Ballkani, si rruga kryesore e trafikut të heroinës. Kjo lëndë narkotike kalon nga vendet ballkanike dhe më pas dërgohet në Europën Qendrore.
Sa i përket kokainës, në vitin 2018-të janë sekuestruar sasi rekord prej 181 ton. Edhe heroina e kanabisi mbeten në shifra të larta sekuestrimesh, që sipas raportit tregon se niveli i trafikut është shumë herë më i lartë.
Tv Klan