Thirrjes që kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u drejtoi palëve se vota e diasporës është në rrezik, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, i përgjigjet kështu.
“Procesi i votës së emigrantëve është një sfidë nga pikëpamja logjistike e organizative, më shumë sesa kritere ligjore. Është një shqetësim që duhet marrë seriozisht nga të gjitha partitë politike. Në fakt, edhe kur u bë ligji zgjedhor nuk mendohej që afati 30 ditë i nevojshëm që nga momenti kur regjistroheshin kandidatët, deri në çuarjen e fletëve dhe kthimin e saj në Shqipëri do të ishte i mjaftueshëm. Nga konsultimet që janë bërë, duhen më shumë ditë.”
Sekretari socialist për zgjedhjet është kundër kundërshtisë së opozitës për votimin elektronik. Ai madje i propozon KQZ-së, qarkun ku duhet të implementohet.
“Ne do bëjmë çmos, bëhet fjalë për një dispozitë të thjeshtë ligjore, për ndryshimin e disa afateve. Nuk është se rrezikohet sot që flasim ai proces. Ajo ndërhyrje do bëhet në kohën e duhur. Para një jave u miratuan rregullat për ndërtimin e platformës elektronike të listës zgjedhore dhe rregullat e regjistrimit. Sot ka një diskutim tjetër në KQZ që të plotësohet lista e dokumentacionit që vërteton adresën e zgjedhësit jashtë vendit. Mundësohet që KQZ të shpallë platformën, ta ndërtojë këtë dritare ku çdo qytetar ka mundësi të hyjë, të regjistrojë të dhënat paraprake, të hapë një llogari. Pastaj ta plotësojë me dokumentacionin e nevojshëm që përcakton ligji. KQZ të zbatojë votimin elektronik për aq mundësi që ka, për mendimin tim në qarkun më të madh që është rasti i Tiranës pasi ka shumë emra dhe do jetë lehtësi për procesin, sesa në qarqet e tjera.”
Gjiknuri ka një koment edhe për mosbindjen civile të opozitës.
“Ne kemi përgjegjësi si mazhorancë të krijojmë kushtet e nevojshme të debatit, transparencën për gjithëpërfshirje, për sqarime, për marrje në konsideratë apo marrje në konsideratë të propozimeve që vijnë nga opozita për të përmirësuar buxhetin e shtetit. Pastaj nëse gjërat shkojnë në ekstrem dhe pamundësohet zhvillimi normal i një mbledhje, atëherë do prevalojë interesi publik që është kalimi i buxhetit.”
Kushti i panegociueshem është për opozitën qeveria teknike tre muaj para zgjedhjeve. Po për mazhorancën?
“Kjo s’është çështje fare e Partisë Socialiste, as krizë kushtetuese nuk kemi as qeverisjeje. Këtu është thjesht dëshira e njërë palë që pala tjetër të heqë dorë nga pushteti i fituar nëpërmjet votës, për arsye se nuk e sheh se fiton dot zgjedhjet. Qeveritë teknike nuk janë në të mirën e vendit dhe krijohen në kohën e krizave të mëdha, kur vendi ka nevojë për një unifikim për të përballur një situatë që është anormale. Shqipëria është në normalitet, sapo ka filluar negociatat me BE, nuk ka probleme të tilla.
Për deputetin socialist, ekziston një arsye pse drejtësia ka prekur disa kolegë të tij.
“Këto nuk janë gjëra të mira as për Partinë Socialiste, po as për shtetin në terësi. Ne do donim që të gjithë zyrtarët tanë të jenë të ndershëm, të mos kishte shkelje ligji. Mendoj që këto në terësi nuk do kenë lidhje direkt me zgjedhjet, secili ka përgjegjësi për veprimin e tij. PS ka shumë bashki, ka shumë vite në pushtet dhe normalisht kur qeveris për 12 vite dhe zotëron pjesën më të madhe të bashkive të vendit, normalisht do të ndodhin gjëra të tilla. Jetëgjatësia në pushtet të ekspozon ndaj vendimmarrjeve të ndryshme.”
Ish-numri dy i PS tregon shkurt marrëdhënien më Ramën.
“Marrëdhëniet i kam pasur konstante me kryetarin e partisë, marrëdhënie pune, siç i kam pasur gjithmonë. Do vazhdoj t’i kem…”
Klan News