Prokuroria e Posaçme ka bërë publike “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”. SPAK deklaron se kjo strategji mbështetet në verifikimin në terren të indiceve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Struktura qendrore do të drejtohet nga Altin Dumani, ndërsa në përbërje do të ketë edhe prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Grupi i punës do të monitorojë financat dhe përdorimin e buxhetit gjatë fushatës.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur një platformë të posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Gjithashtu është ngritur edhe një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani është dakordësuar me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, me qëllim ngritjen e një protokolli të koordinimit institucional, për krijimin e një linje komunikimi të hapur 24/7 mes institucioneve. Një qendër e monitorimit të procesit zgjedhor pranë KQZ është ngritur, vend në të cilin mund të angazhohen edhe hetues të SPAK.

Një nga hetuesit e BKH-së do të caktohet si person përgjegjës, i cili do të jetë në kontakt të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave në kohe reale.

Klan News