Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi u mblodh sërish pa praninë e opozitës, për të diskutuar projektligjin që ka të bëjë me organizimin e pushtetit gjyqësor dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Nisma e hartuar nga përfaqësuesit e EURALIUS -it, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Zyrës së Prokurorisë, përcakton kriteret, si dhe procedurën për përgjegjësinë disiplinore, penale e civile të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Pas mbledhjes së Komisionit, relatorja Vasilika Hysi tha se drafti garanton qëndrimin në sistem të profesionistëve.
Projektligji parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët duhet të heqin dorë nga bizneset dhe çdo aktivitet fitimprurës, ose në të kundërt do të duhet të largohen nga sistemi i Drejtësisë.
Përfaqësuesve të drejtësisë u ndalohet të marrin pjesë në administrimin e shoqërive tregtare me aktivitet fitimprurës, apo të lidhin kontrata, si dhe të zotërojnë aksione në një shoqëri tregtare. Drafti parashikon gjithashtu edhe formulën e re të pagës për përfaqësuesit e Drejtësisë.
Tv Klan