Në këtë video të siguruar nga Klan Plus janë dy të mitur, të moshës 10 dhe 12 vjeç që vjedhin një dyqan bizhuterish në rrugën Myslym Shyri. Policia i ka gjetur, por për shkak të moshës, ata nuk janë ndaluar dhe as kaluar për procedim të mëtejshëm ligjor. Nuk janë dërguar as në shkollë riedukimi, por kanë kaluar thjeshtë për përgjegjësi prindërore. Statistikat e siguruara nga zyrat e Policisë së Shtetit janë në përmasa shqetësuese për këtë fenomen.
Herë të shfrytëzuar, herë në padijeni se çfarë akti po bëjnë, e herë të detyruar nga kushtet ekonomike në të cilat ndodhen. Jo rrallëherë, fëmijë të tillë janë të predispozuar të shndërrohen në persona me rrezikshmëri të lartë.
“A mundet që të gjithë fëmijët që kryejnë vepra penale nën moshën e përgjegjësisë penale, apo 17-18 vjeç të vijojnë aktivitetin kriminal? Është e mundur, nëse ne kemi dështuar në të gjithë programet për rehabilitimin, për përkujdesin dhe parandalimin e atyre faktorëve që kanë nxitur një fëmijë të hyjë në veprimtari kriminale. Të mos harrojmë që një pjesë e këtyre fëmijëve përdoren nga të rriturit. I shfrytëzojnë të rriturit, mund të jenë pjesëtarë të familjes, të afërm, daja, xhaja, e kështu me radhë, ose persona të rritur. Sepse e dinë që nëse këta bëjnë një vjedhje, ata nuk kanë përgjegjësi penale. Pra mund të jenë nën shtytjen e të rriturve”.
I tillë është edhe rasti i Markeljan Cungut. Dikur ishte një person i skeduar për disa vjedhje, por pa dhunë. Sapo u rrit dhe doli nga burgu, ai filloi të kryente vjedhje me dhunë. Tashmë është i shpallur në kërkim për grabitje me armë. Për fenomene të tilla, çfarë parashikon legjislacioni shqiptar.
“Duhet të ngrihet sa më shpejt qendra për parandalimin e kriminalitetit të fëmijëve nën moshën 14 vjeç, që është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë dhe po punohet për ngritjen e kësaj qendre, që është detyrim nga ligji për drejtësinë penale të të miturve. Por nuk është vetëm qendra. Ajo që është shumë e rëndësishme për të parandaluar vijimin e aktivitetit kriminal të fëmijëve, është puna që duhet të bëhet në nivel të parandalimit të të gjithë faktorëve që e nxit një fëmijë, për të kryer një vepër penale”.
Përgjegjësia për parandalimin e fenomeneve të tilla përfshin nga parlamenti deri tek prindërimi. Ndaj edhe Hysi, këtë radhë jo si deputete, por si kriminologe, ka një apel.
“Unë kam një apel të fortë për të gjithë dhe apeli fillon në radhë të parë për parlamentit, pjesë e të cilit jam dhe unë. Interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë në gjithë punën tonë. Që në miratimin e ligjeve, në buxhetimin, sepse organet e qeverisjes vendore, institucionet, shkollat, Ministria vetë e Drejtësisë, ka nevoje për burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme. Një apel e kam për të gjitha shkollat, kudo që ndodhen ato. Shkollat jo vetëm e arsimojnë fëmijën, por në radhë të parë duhet t’i edukojnë ato.”
Klan Plus