“Mëkat të rëndë” i quajti Papa Françesku përpjekjet që po bëjnë vende të ndryshme kryesisht në Europë dhe Amerikë për të penguar hyrjen e emigrantëve.
Shqetësimin për refuzimin e njerëzve në nevojë, kreu i Kishës Katolike e ngriti gjatë dëgjesës së përjavshme para të besimtarëve të pranishëm në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, ku u shpreh kritik me mënyrat që qeveritë e disa vendeve europiane po përdorin për t’i refuzuar ata.
“Në ato dete dhe shkretëtira vdekjeprurëse, mërgimtarët e sotëm nuk duhet të ishin, por fatkeqësisht janë. Nuk arrihet gjë me ligje kufizuese, militarizim të kufijve apo me refuzime. Duhen zgjeruar rrugët e sigurta dhe ligjore të hyrjes së tyre dhe duhet lehtësuar strehimi për të gjithë ata që marrin arratinë nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe shumë fatkeqësi të tjera”, tha Papa Françesku.
Thirrjet e Papës vijnë pasi së fundi edhe Gjermania që deri më sot ka patur qasjen më të butë ndaj emigrantëve të jashtëligjshëm, po planifikon ashpërsimin e politikave ndaj tyre.
Pas aktit terrorist ku një i ri sirian që nuk përfitoi azil në Gjermani, vrau me thikë 3 persona në Solingen, kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi nisma ligjore për bllokimin e hyrjeve për të huajt përmes rrugëve ilegale.
Tv Klan