Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Një dramë që sjell absurdin e teatrit Anglez. “Tradhti bashkëshortore” e shkruar nga Harold Pinter dhe përkthyer nga Xhevdet Ferri, do të ngjitet në skenën e teatrit të Rubairave. Nën drejtimin regjisorial të Ferrit, do të interpretojnë si protagonistë Ndriçim Xhepa e Rozeta Ferri, si edhe në një situatë të veçantë, do të luajë Lazer Filipi.

Mesazhi social nëpërmjet kësaj vepre bashkëkohore, vihet për herë të parë në një skenë shqiptare, zgjedhjen e së cilës e ka bërë vetë regjisori.   

Regjisori Xhevdet Ferri:- “Kontakti i parë dhe vullneti i parë për t’u marrë me këtë autorë, kanë qenë cilësitë e tij të jashtëzakonshme nga pikëpamja metodike dhe kam pas shumë dëshirë që autori të përkthehej dhe të futet në programet metodike të Akademisë së Arteve. Së dyti është autor jashtëzakonisht serioz dhe vlerat e tij kryesisht konsistojnë në faktin që ai duke njohur shumë mirë teknologjinë dhe metodikat, pasi është aktor dhe regjisor njëkohësisht. Një nga motivet e tjera pastaj ka qenë vetë teatri i “Rubairave”, i cili ose salla të tilla të ngjashme me të janë vërtet shumë komode për të krijuar këtë tip estetik të teatrit, përveç atij tradicionalit”.

Me një sfond të thjeshtë pa ndonjë dekor, situatat krijohen për të nxjerr në pah karakteret, të cilat ndërthuren me cinizëm dhe satirë./tvklan.al