Për herë të parë regjistrimi i popullatës do të përfshijë dhe përkatësinë etnike dhe atë fetare. Një komitet kombëtar për regjistrimin e popullatës dhe banesave do të nisë të funksionojë pranë këshillit të ministrave. Në përbërjen e këtij komiteti që drejtohet nga Ministri i Shtetit Genc Pollo do të jenë 12 ministra si dhe specialist të fushës.

Për ministrin Pollo, qëllimi kryesor i regjistrimit të ri, është dhënia e një panorama të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social, ndërsa ai do të jetë përcaktues gjithashtu dhe për planin e zhvillimit në nivel kombëtar dhe atë rajonal.

Genc Pollo: “Në pyetësorin që sot nga Komisioni Qendror i Regjistrimit miratohet në parim, por pas një konsultimi 6 mujor do të miratohet përfundimisht, pra risia e këtij pyetësori, është që përmban për herë të parë prej shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe përkatësinë fetare. Regjistrimi do bëhet në mënyrë absolutisht profesionale dhe i menaxhuar nga Instituti i Statistikave dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE dhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare”.

Projekti që kap vlerën totale prej 15 milion eurosh do të financohet nga qeveria shqiptare, si dhe donator të huaj, siç është Komisioni Evropian. Regjistrimi më i fundit i popullatës dhe i banesave është bërë në vitin 2001./tvklan.al