Zbulohen edhe dy raste të reja
Dy raste të reja të virusit britanik janë zbuluar në Maqedoninë e Veriut. Lajmin në rrjetin social Twitter e ka publikuar Mjeku Goran Kungulovski nga Laboratori për gjenetikë në Spitalin Privat “Zhan Mitrev”. Pikërisht ky mjek, para disa ditëve, shpërndau lajmin shqetësues se virusi është I pranishëm në vend që para Vitit të Ri.
DW në gjuhën maqedonase, njoftoi se bëhet fjalë për persona të infektuar nga Shkupi dhe Ohri. Njëri rast është nga 4 Janari, kur është konfirmuar testi pozitiv tek i sëmuri, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë shkaku i virusit. Rasti i dytë është nga 18 Janari, kurse i infektuari, siç njoftohet, është lëshuar nga spitali para tri ditëve.
Mjekët nga Spitali privat ku ishte detektuar virusi britanik kanë alarmuar se për shkak të përhapjes së shpejtë, sipas të gjitha gjasave ai do të bëhet dominues në vend.
“Tani duhet kujdes. Të mësohemi se virusi britanik tashmë qarkullon tek ne dhe për shkak të veçorive tashmë të zbuluara, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet gjithnjë e më dominues. Të jemi nën monitorim të përhershëm me vendosjen e teknologjive të reja”.
Paraprakisht tek një 46-vjeçar nga Shkupi ishte detektuar lloji i virusit britanik. Ai tashmë është shëruar. Por, në Laboratorin e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve ishte paralajmëruar se po bëhen analiza shtesë për të shqyrtuar mundësinë nëse ka të infektuar tjerë me këtë virus të rrezikshëm, veçanërisht nga klasteri i fundit në Klinikën për Nefrologji, ku për një periudhë të shkurtër kohore pati dhjetëra infektime me COVID-19.
Tv Klan